Pa subvencionim të çmimit të energjisë elektrike duhet të mbeten vetëm ato kompani nga sektori ushqimor që nuk i kanë ulur çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe jo të gjitha kompanitë nga ky sektor. Kjo është qasja që do të preferonte kryeministri Dimitar Kovaçevski kur kjo çështje të jetë seancë të qeverisë, të cilën tashmë e ka paralajmëruar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, transmeton Portalb.mk.
Përndryshe, ministri resor të mërkurën tha se mbi 60, e diku edhe mbi 70 për qind e kompanive të sektorit ushqimor nuk i kanë ulur çmimet e produkteve bazë dhe se pas përfundimit të analizave të Raportit të Inspektoratit të Tregut, Ministria e ekonomisë do t’i propozojë Qeverisë heqjen e masës së ndihmës për këto kompani me çmime të subvencionuara të energjisë elektrike.
Kovaçevski, ndërkaq, sot tha se ajo që kanë si të dhëna është se për një pjesë të mirë të produkteve ushqimore ka rënie prej shtatë deri në 12 për qind dhe se në dy muajt e fundit ka pasur rënie të inflacionit, faktet, të cilën, siç theksoi ai, askush nuk mund t’i mohojë.
Kryeministri vuri në dukje se ka kompani që nuk kanë ulur çmimet, por ndryshe nga ministri i Ekonomisë, ai nuk përmendi numrin apo përqindjen e tyre.
“Ka kompani që nuk kanë ulur çmimet. Inspektorati Shtetëror i Tregut duhet të bëjë analizë dhe tashmë po e bën – a është sepse nuk kanë dashur apo kanë elementë të tjerë në strukturën e kostos së produkteve të tyre përfundimtare që kanë pasur një çmim më të lartë si lëndët e para, fuqia punëtore, transporti, logjistike etj. gjë që ua ka bërë të pamundur. Nëse nuk ka arsye objektive pse nuk është ulur çmimi përkundër çmimit të subvencionuar të energjisë elektrike, atëherë normalisht nuk do të marrin çmim të subvencionuar të energjisë elektrike sepse ai çmim subvencionohet nga qytetarët e shtetit dhe këto janë mjetet e qytetarëve në mënyrë që çmimet mund të reduktohen për qytetarët”, tha Kovaçevski. I pyetur konkretisht nëse të gjitha kompanitë nga sektori i ushqimor duhet të mbeten pa energji elektrike të subvencionuar apo vetëm ato që nuk i kanë ulur çmimet e produkteve bazë, kryeministri tha:
“Qasja ime do të ishte, nëse është e mundur, për ato kompani të caktuara”.
Kovaçevski përkujtoi se masa për t’i ndihmuar kompanitë e këtij sektori ishte një marrëveshje xhentëlmene mes Qeverisë dhe Odave ekonomike, me të cilën pushteti ekzekutiv u pajtua që t’iu dal në ndihmë qytetarëve për të ulur rritjen e inflacionit duke ulur çmimet e ushqimeve të produkteve bazë me 10 për qind.
Ministri i Ekonomisë, Bekteshi dy ditë më parë tha se të dhënat paraprake nga raporti i Inspektoratit të Tregut tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e kompanive që kanë shfrytëzuar masën për energjinë elektrike të subvencionuar nuk kanë respektuar marrëveshjen mes Qeverisë dhe Odëave ekonomike.
“Do të thojase mbi 60, diku deri në 70 për qind, nuk e respektuan vendimin dhe i mbajtën të njëjtat çmime, krahasuar me muajin nëntor, para se të hynte në fuqi vendimi për subvencionimin e energjisë elektrike. Për këtë arsye Ministria e Ekonomisë do t’i propozojë Qeverisë që të marrim vendim për heqjen e kësaj mase”, tha Bekteshi.
Mjetet për kompanitë, siç tha ai, do të ripërdoren në ndihmë të kategorive të rrezikuara të qytetarëve.