BotaLajme

Një sulm kinez në Tajvan do të shoqërohet me sulme masive kibernetike ndaj SHBA dhe Perëndimit

Një sulm kinez ndaj Tajvanit do të shoqërohet me sulme masive kibernetike ndaj Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara, tha një zyrtare e lartë amerikane për sigurinë kibernetike.

Drejtorja e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën, Jen Easterly, tha të hënën se Uashingtoni dhe vendet aleate duhet të përgatiten se Kina do të krijojë “panik dhe kaos” në hapësirën kibernetike.

“Një skenar sulmesh ndaj infrastrukturës jetike në rast të një sulmi kinez në Tajvan fatkeqësisht nuk është i ekzagjeruar”, i tha zonja Easterly audiencës në Universitetin Carnegie Mellon, në Pitsburg.

Sulmi “mund të gërshetohet shumë mirë me shpërthime në disa tubacione gazsjellëse, me ndotjen masive të sistemeve tona ujore, me ndërhyrjen në sistemet tona të telekomunikacioneve, me dëmtimin e qendrave tona të transportit”, shtoi ajo. “Të gjitha këto të projektuara për të nxitur kaosin dhe panikun në mbarë vendin tonë dhe për të sabotuar mobilizimin e fuqisë sonë ushtarake dhe të vullnetit të qytetarëve”.

Agjencitë amerikane të zbulimit dhe zyrtarët e mbrojtjes kanë paralajmëruar se Kina po përgatit planet për të marrë Tajvanin me forcë brenda vitit 2027.

Megjithatë, zyrtarja më e lartë e zbulimit në Uashington tha më herët këtë muaj se nuk ka tregues se Pekini dëshiron t’i vërë në jetë këto plane.

“Vlerësojmë se Kina vazhdon të preferojë një bashkim paqësor me Tajvanin”, tha Drejtorja e Zbulimit Kombëtar, Avril Haines, gjatë një aktiviteti në Nju Jork këtë muaj.

Por, zonja Haines sinjalizoi se kjo preferencë mund të jetë duke u zvenitur.

“Mendoj se sfida është se ata po bëhen gjithnjë e më pesimistë, apo skeptikë, se kjo është diçka që mund ta arrijnë paqësisht”, tha ajo.

Zonja Easterly paralajmëroi të hënën se preferenca e mundshme e Pekinit për agresionin, dhe gatishmëria e mundshme për të goditur në hapësirën kibernetike, vijnë për shkak të perceptimit gjithnjë e më të zymtë të drejtuesve kinezë për “gabimet e pafundme” të Rusisë në Ukrainë.

“Kanë parë se si Rusia, ndoshta për shkak të frikës së përshkallëzimit, u përmbajt nga bërja e sulmeve ndaj infrastrukturës tonë jetike”, tha ajo. “Mendoj se ata do të jenë më pak të përmbajtur”.

Megjithë shqetësimet domethënëse gjatë javëve dhe muajve përpara se forcat ruse të sulmonin Ukrainën vitin e kaluar, Moska deri më tani ka shmangur sulmet madhore kibernetike ndaj Perëndimit, duke u përqëndruar më së shumti tek aktivitetet kibernetike ndaj Ukrainës dhe objektivave ukrainase.

Në mendjen e udhëheqësve kinezë, sidoqoftë, vetëpërmbajtja e Rusisë është një mundësi e humbur për të dobësuar vendosmërinë e Perëndimit, tha zonja Easterly.

“Në rast se kinezët i kundërvihen Tajvanit, ata do të sigurohen që të ndikojnë unitetin që është krijuar mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, unitetin që është krijuar brenda Shteteve të Bashkuara”, tha ajo. “Ata po na shkaktojnë që tani kosto me sulmet ndaj infrastrukturës sonë jetike, gjë që do t’i ndihmojë në thelb për të ndikuar tek vullneti i popullit amerikan”./VOA

Show More

Related Articles

Back to top button