Podgorica ishte mikpritësja e mbledhjes së dytë të përbashkët mes dy qeverise të Malit të Malit të zi dhe asaj shqiptare, me synimin e intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Shqipëria dhe Mali i Zi përmes një marrëveshje të përbashkët angazhohen në ndërtimin e urës në lumin Buna 300 metra e gjatë. Kjo urë do të lidhë Ulqinin me Velipojën.
“Do të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë. Do të mundësojmë financimin nga buxheti kapital. E kemi pikën e hapur, kemi edhe mjete rezervë për këtë çështje mirëpo në vitin e parë nuk do paguhet pjesa e plotë, vlera e plotë, por do të jepen vetëm mjetet fillestare. Tashmë kemi biseduar që do t’i ndajmë dhe kjo të bëhet në disa vite”, tha kryeministri Abazoviq.
“Kjo nuk është një marrëveshje e thjeshtë, kjo është një marrëveshje jetësimi e bazuar në projektin e zbatimit është realizuar nga FSHZH. Projektin e zbatimit e kemi realizuar me fondet tona, tani me fonde të përbashkëta do të bëjmë edhe urën se siç i thashë edhe Dritanit, këtu në Mal të Zi i keni rrogat më të larta dhe nuk shkon që tua paguajë Shqipëria edhe urën”, tha Rama.
Në këtë mbledhje është dakortësuar hapja e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj.
Të dy kryeministrat dënuan dhunën e disa policëve malazez në ndaj profesorit Petraq Milo, shkruan Top-Channel, përcjell Klankosova.tv.
“Nuk kam qejf të politizohet kjo çështje sepse kjo nuk ka të bëjë me politikën zyrtare, ka të bëjë me një moment katastrofal. Unë e ftoj profesorin të vijë, i kam kërkuar falje për çështjen dhe është më se i mirëseardhur. Mund të them se dhe atë ditë që ka ndodhur ky incident edhe çdo ditë me mijëra njerëz kalojnë kufirin pa kurrfarë problemi. Ndonjëherë ndodhin dhe këto ngjarje. Ata njerëz që kanë një përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur do dënohet, ligji do të zbatohet”, u shpreh Abazoviq.
“Këto janë rastet që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e radhës dhe kjo është arsyeja pse ne na duhet shumë më tepër bashkëpunim rajonal, na duhet shumë më tepër bashkëpunim pa kufi, jo se çdo popull, si çdo pyll, do të shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë por sepse sa më shumë që hapësira të jetë e përbashkët aq më pak derrat do mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve tona”, tha Rama.
11 marrëveshjet dhe memorandumet e firmosura synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushat si energjetika, mirëmbajtja dhe menaxhimi përbashkët i peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, në fushën e mbrojtjes dhe ato social kulturore.
Të dy kryeministrat dhanë komente tejet të kujdesshme për dialogun Kosovë-Serbi.
“Sa i përket qeverisë së Malit të Zi, ajo maksimalisht e përkrah dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe mendon se plani franko-gjerman është një plan i mirë se duhet të kemi normalizim në rajon”, tha kreu i qeverisë malazeze.
“Unë respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur për veten e tyre dhe natyrisht, kur vjen puna në këtë rast, është e pashmangshme që Shqipëria, qeveria e Shqipërisë, unë personalisht të jemi në krah të qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të Kosovës të cilave unë i uroj me gjithë zemër dhe me gjithë mendjen kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh i kënaqur me kërkesën e homologut Abazoviç për të zhvilluar takimin e ardhshëm të Open Ballkan në Malin e Zi në qershor.
Pas takimit të dy qeverive të dy kryeministrat patën një takim informal duke folur në gjuhën shqipe dhe kjo surprizë e Dritan Abazoviq për mikun Edi Rama.