Ambasadori gjerman Graf uron Taravarin për hyrjen e ASh-së në Qeveri – Optimizëm për ndryshimet kushtetuese
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, gjatë ditës së sotme priti në takim, Ushtruesin e Detyrës së Ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në Shkup, Otto Graf.
Në takim dy bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e investimeve të huaja në qytetin e Gostivarit si dhe për rritjen e tyre në vazhdimësi.
“Theksova bashkëpunimin e çmuar lidhur me projektet në Gostivar nga ana e Ambasadës së Gjermanisë deri më tani dhe e falënderova ambasadorin për interesimin e treguar për të zhvilluar nisma të reja. E njoftova z. Graf edhe me projektet prioritare për Gostivarin që duhet të realizohen në periudhën e ardhshme dhe me ato që deri më tani i kemi përmbushur, sidomos nëpër shkolla dhe në fushën e sportit”, theksoi kryetari Arben Taravari.
Në takim po ashtu u fol edhe për gjendjen politike në vend, gjegjësisht për ndryshimet e domosdoshme kushtetuese me të cilat do të hapet rruga evropiane për Maqedoninë e Veriut. Bashkërisht u theksua se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, ndërsa Ambasadori, Otto Graf, uroi Kryetarin, Arben Taravari, për hyrjen e ASh-së në Qeveri.