“Në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Serbisë”, Kurti flet për idenë e Borrellit që takimi të mbahet në Maqedoni.
Kryeministri Albin Kurti, ka përmendur disa elemente simbolike, për të cilat, mendon se janë arsyet që shefi i BE-së, për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, zgjodhi Maqedoninë e Veriut, për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas Kurtit, është Kumanova njëra ndër vendet historike, ku u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit, si njëra ndër specifikat kryesore që Borrell ka bërë zgjedhjen e tij.
”Mos të harrojmë që më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë ishte nënshkruar kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe së hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë mendoj që këto elemente simbolike kanë qenë të rëndësishme për Josep Borrell që të na ftojnë këtu për takimin e radhës të nivelit të lartë”.
Megjithatë ai nuk pati vetëm këtë shpjegim.
”Shkupi është qyteti i madh më i afërt me Prishtinën, po ashtu mendoj që ka impakt të madh në rajonin në kuptim që Maqedonia e Veriut është një vend i cili avancon në kontekst të demokracisë, sundimit të ligjit dhe në kontekst të integrimeve evropiane. Republika e Kosovës zë vendin e 84 nga 180 vende dhe Maqedonia është në vendin e 85 për sundimin e ligjit. Në këtë kuptim jemi kampion për më të mirët”.
Këto deklarata, kryeministri Albin Kurti, i dha gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik në Shkup.