Funksionarët që do të shkarkohen ose do të japin dorëheqjen para përfundimit të mandatit të tyre, nuk do të kenë më të drejtën e kompensimit monetar, gjegjësisht apanazhit që iu takonte në një periudhë prej tre deri në 12 muaj, në varësi të kohës sa ishin në funksion, transmeton Portalb.mk.
Gjykata Kushtetuese sot njëzëri vendosi të shfuqizojë nenin 22 të Ligjit për pagat dhe kompensimet tjera të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar.
Kjo nuk do të zbatohet për ministrat dhe zëvendësministrat e shkarkuar së fundmi, pasi vendimi i Gjykatës është shfuqizues, e jo anulues.
Pas shfuqizimit të nenit 22 të ligjit, të cilin e kontestoi avokatja strugane Gligorie Qatovski, ajo dispozitë nuk do të jetë më në rendin juridik.
Gjykata Kushtetuese vlerëson se ajo dispozitë nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe se ai nen nuk ka arsyetim kushtetues.
Gjykata merr parasysh faktin se dorëheqja ose shkarkimi vjen për shkak të një lloj përgjegjësie që lidhet me kryerjen e detyrës së besuar. Sipas gjykatës, dorëheqja ose shkarkimi dhe marrja e dëmshpërblimit monetar janë të papërputhshme, ndaj kjo dispozitë është shfuqizuar.
Sa i përket dispozitave të tjera Gjykata vendosi që të mos nisë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve: 19, 20, 21, 23, 24 dhe 25 të Ligjit të shënuar në pikën 1 nga ky vendim dhe vendosi që ta hedhë poshtë nismën në lidhje me kërkesën për vlerësim të pëlqimit të ndërsjellë të dispozitave të shënuara në pikat 1 dhe 2 nga ky vendim me nenet: 105, 106 dhe 113 nga Ligji për marrëdhënie pune.
Një rast të tillë kishte para katër vjetëve kur apanazh kërkuan anëtarët e KSHZ-së të cilët në vitin 2017 vetë dhanë dorëheqje nën presionin e publikut dhe ambasadorit amerikan Xhes Bejli i cili publikisht i kritikoi se kanë votuar bonuse për zgjedhjet lokale në vlerë prej katër dhe dy pagave shtesë.
Apanazhi, apo kompensimi financiar gjatë kohë në RMV është temë e diskutueshme duke e pasur parasysh se funksionarët marrin para në kurriz të shtetit, edhe pasi që të ndalojnë kryerjen e funksionit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vetëm për nenin 22, ndërkaq neni 19 parasheh që nëse funksionarët apo deputetët pas mbarimit të mandatit të tyre mbesin pa punë, shteti ka të drejtë t’u japë pagë mujore deri në 1 vit.