Kancelari gjerman Olaf Scholz të enjten i kërkoi Kinës të mos dërgojë armë për të ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë, teksa i bëri thirrje Pekinit të ushtrojë presion ndaj Moskës për të tërhequr forcat e saj.
Në një fjalim në parlamentin gjerman, prej ku foli për vitin e parë të pushtimit rus të Ukrianës, Scholz tha se ishte zhgënjyese që Pekini ishte përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus, megjithëse ai përshëndeti përpjekjet e tij për të mos lejuar përshkallëzim bërthamor.
Mesazhi im për Pekinin është i qartë: përdorni ndikimin tuaj në Moskë për të nxitur tërheqjen e trupave ruse”, tha ai. “Dhe mos i dorëzoni asnjë armë Rusisë agresore”.
Vërejtjet e Scholz-it nënvizuan se si reagimi ndërkombëtar ndaj luftës në Ukrainë theksoi ndarjet globale, me Kinën dhe Indinë që përmbahen nga dënimi i pushtimit rus.
SHBA po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Kinës
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Kinës nëse Pekini ofron mbështetje ushtarake për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, thanë burimet për agjencinë e lajmeve Reuters këtë javë.
Konsultimet, të cilat janë ende në një fazë paraprake, synojnë të mbledhin mbështetje nga një sërë vendesh, veçanërisht ato të grupit të G7, për të koordinuar mbështetjen për çdo kufizim të mundshëm.
Nga ana e saj, Kina ka nxjerrë një dokument prej 12 pikash që bën thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës që u prit me skepticizëm në Perëndim.