Autoritetet greke njoftuan se gjetën mëngjesin e së enjtes shtatë trupa të karbonizuar në një prej vagonave të një treni udhëtarësh, që u përplas të mërkurën me një tren mallrash në Tempe, në Greqinë e Veriut.
Sipas përditësimit të fundit nga Departamenti grek i Zjarrfikësve numri i konfirmuar i vdekjeve nga përplasja e trenave është 46.
Përfaqësuesi për shtyp i Shërbimit Zjarrfikës, Vassilis Varthakoyanis tha se veprimet e zjarrfikësve janë fokusuar në vagonin që përdorej si restorant , i cili pas përplasjes së trenave është shtypur.
“Gjithsej 7 trupa të karbonizuar janë nxjerrë nga ky vagon mëngjesin e sotëm dhe numri i konfirmuar i pasagjerëve të vdekur në këtë moment është 46”, tha për mediat zoti Varthakoyianis.
Autoritet greke njoftuan se nisën të enjten identifikimin e viktimave me procesin e ADN-së, ndërkohë që vijon kërkimi dhe identifikimi i personave të tjerë të humbur në aksidentin e trenave.
Burimet diplomatike shqiptare në Athinë kanë pohuar se mes pasagjerëve rezultojnë edhe tre shqiptarë të zhukur.
Ambasada shqiptare në Athinë ka konfirmuar për Zërin e Amerikës emrat e tre shqiptarëve të zhdukur: Klaudia Lato, Pavlin Bozo dhe Denis Ruçi.
Nga përplasja e dy trenave janë evidentuar edhe të paktën nëntë shqiptar të plagosur që ishin udhëtarë në trenin e pasagjerëve.
Dy shtetas shqiptarë Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeç po trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv, ndërsa 7 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të lënduar, jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë hetimet për aksidentin
Shkaku i aksidentit ende nuk është i qartë. Kreu i stacionit lokal hekurudhor, një 59 vjeçar i ngarkuar me përgjegjësinë e sinjalizimit, është arrestuar nën dyshimet se ishte i pakujdesshëm, tha një zyrtar i policisë, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë përse dy trenat ishin në të njëjtat shina në të njëjtën kohë. I dyshuari ka mohuar akuzat duke thënë se aksidenti mund të ketë ndodhur si pasojë e një dështimi të mundshëm teknik.
Greqia ka një sistem të vjetëruar hekurudhor. Shumë trena lëvizin në shinat e njëjta, ndërsa në shumë zona mungojnë sistemet e sinjalizimit dhe kontrollit automatik.
Ministri i Transportit, Kostas Karamanlis dha dorëheqjen pas aksidentit, ndërsa zëvendësuesi i tij u ngarkua me ngritjen e një hetimi të pavarur për shkaqet e aksidentit.
“Përgjegjësia do të caktohet”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një fjalim televiziv të mërkurën vonë, pasi vizitoi vendin e aksidentit.
“Ne do të punojmë që fjalët ‘kurrë më’… të mos mbeten një premtim bosh. Këtë të premtoj”, tha ai.
Ndërkohë banorët në Larisa u rreshtuan për të dytën ditë për të dhënë gjak, e ndërsa shumë prej tyre prisnin në shi të fortë për më shumë se një orë.