Kërcënim i rëndë për futbollistin më të mirë në planet. Një supermarket që i përket familjes së Antonella Roccuzzo, gruas së Lionel Messit, u sulmua me armë zjarri (14 vrima plumbash u fiksuan në vendin e ngjarjes) në agim të së mërkurës në qytetin e Rosarios.
Sipas raportimeve të mediave lokale, agresorët më pas lanë një shënim në vend të dukshëm me një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë Messin. “Messi po të presim. Javkin është trafikant droge, nuk të mbron”.
Ky është mesazhi i koduar dhe kërcënues për kampionin argjentinas, që u la në derën e supermarketit. Mesazhi duket se aludon për një kërkesë pagese të pasuksesshme dhe gjithashtu i referohet kryetarit të qytetit ku ka lindur Messi, Pablo Javkin.
Duhet theksuar se Rosario është një qytet që ka vuajtur prej kohësh nga prania e përhapur e krimit të organizuar që lidhet me trafikun e drogës, aq sa ka marrë nofkën “Çikago argjentinase”.