BotaLajme

Shefja e PE-së kërkon që këtë vit Ukraina të nisë bisedimet për anëtarësim

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, gjatë vizitës në Ukrainë më 4 mars bëri thirrje që ky shtet të lejohet të nisë gjatë këtij viti negociatat për anëtarësim në bllokun evropian.

“Kam shpresë se negociatat për pranim mund të nisin gjatë këtij viti”, tha Metsola gjatë vizitës në Lviv, qytet në perëndim të Ukrainës.

“E ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian”, theksoi ajo.

Qershorin e vitit të kaluar, Brukseli i dha Kievit statusin e kandidatit, katër muaj pasi nisi pushtimi rus i Ukrainës. Por, procesi për anëtarësim në BE mund të marrë disa vite.

Vendimi final varet nga qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, disa prej të cilave janë skeptike se Ukraina mund të rimëkëmbet nga lufta dhe të zbatojë reformat e nevojshme demokratike dhe kundër korrupsionit në mënyrë që të përmbushë kushtet për anëtarësim në një kohë të shpejtë.

Por, Metsola, që u takua me presidentin Volodymyr Zelensky, dhe me kryetarin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, është në mesin e zyrtarëve në Bruksel që janë optimistë edhe për anëtarësim të shpejtë dhe që reformat mund të kryhen shpejt.

“Ritmi me të cilin Parlamenti dhe Qeveria [ukrainase] po bëjnë përparim në aplikimin për në BE po më impresionon”, tha ajo.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky falënderoi Metsolën për rolin e saj në arritjen e mbështetjes së Parlamentit Evropian lidhur me aplikimin për anëtarësim.

“Ukraina synon të kompletojë dhe zbatojë rekomandimet e Komisionit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE gjatë këtij viti”, tha ai.

Kur të nisin bisedimet zyrtare, Komisioni Evropian do të gjykojë nëse Kievi ka plotësuar kriteret e anëtarësimit në BE sa i përket qeverisjes së mirë, lirive demokratike dhe sundimit të ligjit dhe KE-ja do të lëshojë opinionin e saj.

Më pas, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së do të vendosin nëse duan të pranojnë Ukrainën në bllok. Procesi zakonisht merr kohë mbi pesë vjet dhe për disa shtete kandidate, sikurse Turqia, dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, ky proces është ndaluar.

Show More

Related Articles

Back to top button