I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stuart Peach do të vizitojë Maqedoninë e Veriut nga e hëna deri të mërkurën (6-8 mars), transmeton Portalb.mk.
Siç njoftuan nga ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup, Stuart viziton Maqedoninë e Veriut për të riafirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor
Gjatë vizitës Stuart do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin për BE-në Bojan Mariçiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Ai gjithashtu pritet të takohet me përfaqësues të shoqërive civile.
“Qëllimi i vizitës është të riafirmojë përkushtimin e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, të mbështes reformat, të forcon stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, informuan nga Ambasada e Britanisë.
Sivjet Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut festojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe.