LajmeMaqedoni

Nga 16 ministri në Maqedoninë e Veriut, tetë drejtohen nga shqiptarët

Rikonstruimi i fundit i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila aktualisht udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski (kryeministër) e ka rritur numrin e shqiptarëve që drejtojnë ministri në këtë vend. Përveç se janë në numër më shumë, zyrtarët qeveritar të përkatësisë shqiptare gjithashtu drejtojnë pozitat më të rëndësishme në Maqedoni, siç janë: shëndetësia, arsimi, ekonomia, politika e jashtme dhe të tjera.

Me ndryshimet e fundit që u bënë në kabinetin qeveritar, gjegjësisht inkuadrimin e Aleancës për Shqiptarët në qeveri, numri i ministrive që drejtohen nga shqiptarët shkon në tetë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka 16 ministri ndërsa tetë prej tyre drejtohen nga shqiptarët. Gjithashtu, pozita e zv.kryeministrit të parë në Qeverinë e RMV-së mbahet nga shqiptarët (Artan Grubi, i cili gjithashtu është ministër në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive), si dhe zv.kryeministrit për Çështje Ekonomike (Fatmir Bytyqi).

Ministritë që drejtohen nga shqiptarët në RMV janë:

Ministria e Drejtësisë – Krenar Lloga (ASH)
Ministria e Punëve të Jashtme – Bujar Osmani (BDI)
Ministria e Financave – Fatmir Besimi (BDI)
Ministria e Shëndetësisë – Fatmir Mexhiti (ASH)
Ministria e Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi (BDI)
Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Azir Aliu (ASH)
Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Jeton Shaqiri (BDI)
Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive – Artan Grubi (BDI).

Përveç pozitave në pushtetin ekzekutiv, shqiptarët drejtojnë edhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pozitë e cila mbahet nga Talat Xhaferi i BDI-së.

Ndërkohë sa i përket organit legjislativ, nga 120 deputetë sa janë në Kuvendin e RMV-së, 30 janë të përkatësisë shqiptare.

Theksojmë që kjo përbërje qeveritare, aktualisht në Kuvend mbështetet nga 65 deputetët e partive: LSDM (dhe partitë në koalicion me të), BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH.

Show More

Related Articles

Back to top button