Ideja franko-gjermane për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë u përvetësua nga Bashkimi Europian dhe u prezantua nga Përfaqësuesi i Lartë i Unionit, Josep Borrell, si një propozim që ka përkrahjen e 27 shteteve anëtare, përfshirë edhe ato që vazhdojnë të refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Takimin e të hënës në Bruksel, Borrell e prezantoi si progres dhe arritje të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në këtë plan edhe pse nuk u nënshkrua asgjë dhe pati konfuzion në opinion kosovar dhe serb mbi rezultatin real të arritur.
Por, mungesa e nënshkrimit të kësaj marrëveshje po shkakton mosbindjen e shteteve mosnjohëse që të ndryshojnë qëndrimin e tyre karshi shtetësisë së Kosovës.
Në një përgjigje, Ministria e Jashtme e Sllovakisë e konsideron një arritje të rëndësishme pajtimin e palëve mbi propozimin europian, por duan marrëveshje të nënshkruar.
“Rezultati i takimit të fundit në dialog është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo mund të jetë një shtysë për negociata të mëtejshme që çojnë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre”.
Për të ardhmen e dialogut, Sllovakia ndan të njëjtin qëndrim sikurse BE-ja.
“Nga të dyja palët presim zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe një qasje konstruktive në raundet e ardhshme të negociatave. M. Lajçak dhe J. Borrell kanë mbështetjen tonë të plotë në lehtësimin e dialogut”, përfundon përgjigjja.
E pabindur është edhe Spanja, e cila mbrëmë tha se edhe pas këtij takimi nuk do të ndryshojë qëndrim mbi pavarësinë e Kosovës.
“Spanja mban qëndrimin e saj për mosnjohje të deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008”, thuhet në këtë përgjigje.