Nga sot, refugjatët që mbërrijnë me gomone ose varka të vogla në Britaninë e Madhe nuk do përfitojnë më azil, ose të përdorin ligjin për të drejtat e njeriut për të ndaluar kthimin e tyre.
Ata do të kenë mundësi, ta apelojnë vendimin, vetëm pasi të jenë kthyer në vendet e origjinës.
Autoritetet britanike do të pranojnë kërkesa për azil, vetëm nga persona që janë nën 18-vjeç ose të sëmurë.
Të gjithë të tjerët nuk do të lejohen të hyjnë në Britaninë e Madhe dhe nuk do të kenë mundësi për të marrë leje qëndrimi, në këtë shtet, gjatë gjithë jetës.
Këto janë rregullat e reja që parashikohen ne projektligjin e ri, i cili do të prezantohet nga kryeministri Rishi Sunak, këtë të martë, bëjnë me dije mediat britanike.
Ndërkohë, propozimi i kryeministrit është kundërshtuar nga kritikët, të cilët shprehen se ky ligj bie ndesh me të drejtat e njeriut. Sipas tyre, qeveria britanike nuk do të ketë ku t’i kthejë emigrantët e paligjshëm mbrapsht, pasi një pjesë e mirë e atyre që futen në Angli, vijnë nga vende që janë në konflikt si Afganistani, Siria apo Iraku.
Nga ana tjetër, edhe plani i ministres së brendshme ,Suella Braverman, për t’i dërguar refugjatët në Ruandë, u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit.
Mungesa e kapaciteteve dhe propozimi i Ruandës, i bllokuar nga gjykata, do të çojnë qeverinë britanike të kërkojë marrëveshje deportimi me BE.
Të premten, kryeministri Sunak do të udhëtojë drejt Parisit, për t’u takuar me presidentin Macron, ku ndër të tjera pritet të diskutohet edhe çështja e refugjatëve.
Aktualisht në Britaninë e Madhe, numri i emigrantëve që janë në pritje të një vendimi azili është rreth 160 mijë, një pjesë e mirë e të cilëve janë shtetas shqiptarë.