Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e caktoi Seancën e 107-të të shtëpisë ligjvënëse, e cila është seanca e parë plenare ekskluzivisht e dedikuar për avancimin e barazisë gjinore. Seanca do të mbahet më 8 mars – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ndërsa pikë e rendit të ditës është Informata për avancimin për çështjet gjinore në dy dekadat e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Lidhur me Informatën do të flasë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, ndërsa do të flasin edhe disa deputete aktuale, transmeton Portalb.mk.
Pasi periudhës së fundit, sidomos gjatë shtyrjes parlamentare të seancës për rindërtimin e qeverisë, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta argumentet dhe ofendimet që deputetët dhe deputetet i drejtonin njëri-tjetrit, deputetët në Kuvend njoftuan se në seancën e 8 marsit do të kërkojnë një ligj që do të ndëshkojë gjuhën e urrejtjes jo vetëm ndaj tyre, por ndaj grave në përgjithësi.
Në fund të seancës plenare është planifikuar të miratohen disa konkluzione. Seanca do të mbahet në Sallën “Maqedonia”, ndërsa për shkak të pranisë së më shumë mysafirëve do të ndiqet edhe nga Salla “Kupolla e Madhe”.
Si mysafire, në Kuvend janë ftuar ministret në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zëvendësministret, përfaqësueset e korit diplomatik dhe të organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, me theks në NDI, OSBE dhe UN Women, të cilat në vazhdimësi bashkëpunojnë me Klubin e Deputeteve në Kuvend, që nga formimi në vitin 2003 e deri më sot.
Ftesa për pjesëmarrje janë dërguar edhe për ish-ministret në Qeveri, si dhe për ish-deputetet në periudhën nga viti 2003, përkatësisht duke filluar me përbërjen e katërt të Kuvendit (2002-2006), duke përfunduar me përbërjen e mëparshme (2016-2020). Ato do të mund të ndjekin seancën në Sallën “Kupolla e Madhe”.
Seanca e parë tematike e kushtuar barazisë gjinore mbahet në 20-vjetorin e formimit të Klubit të Deputeteve.
Për nder të këtij jubileu, pas përfundimit të seancës plenare në Sallën e Kristaltë është planifikuar edhe ceremonia e rastit, në të cilën do të ndahen fletëfalënderime për ish-kryetaret e Klubit të Deputeteve, për organizatat që kanë dhënë iniciativa dhe morën pjesë në formimin e Klubit dhe disa organizatave ndërkombëtare.
Në pjesën solemne janë ftuar të gjithë mysafirët. Përveç Kryetarit të Kuvendit, në këtë pjesë do të mbajë fjalim edhe ish-deputetja Eleonora Petrova – Mitevska, kryetarja e parë e Klubit të Deputeteve, ndërsa në emër të të gjithë fituesve të fletëfalënderimeve do të mbajë fjalim Cvetanka Ivanova, ish-kryetare e Klubit të Deputeteve dhe sekretare aktuale e përgjithshme e Kuvendit.
Fletëfalënderimet do t’i ndajë kryetarja aktuale e Klubit të Deputeteve, Lolita Ristova.