Ekipet indiane të ndërhyrjes së shpejtë janë në garë me kohën për të shpëtuar një 10 vjeçar me probleme dëgjimi e të folure, i cili është bllokuar në një pus prej katër ditësh tashmë.
Rahul Sahu ra të premten në pusin e ngushtë qe arrinte gjatësinë 24 metra, teksa luante në oborrin e shtëpisë së tij në shtetin qendror të Chhattisgarh.
Vinca janë dërguar në zonë për të gërmuar tokën me qëllimin të hapet një tunel pranë pusit. Përpjekjeve për shpëtimin e vogëlushit i janë bashkuar edhe trupa ushtarake e anëtarët e agjencisë së reagimit ndaj fatkeqësive.
Por moti i keq dhe gjarpërinjtë helmues e akrepat që kanë dalë në sipërfaqe pas gërrmimeve, po i pengojnë përpjekjet e shpëtimit, thanë zyrtarë lokalë.
Sahu ka reaguar mirë deri tani dhe një kamera po monitoron gjendjen dhe lëvizjet e tij, i tha AFP-së me telefon nga vendi i ngjarjes shefi i policisë së qarkut, Janjgir Agraëal. Por fakti që djali nuk mund të dëgjojë e të flasë, e kthen këtë në një sfidë shumë të madhe për ne, shtoi ai.
Një tub oksigjeni po ushqen 10 vjecarin me ajër të pastër, e autoritete shpresojnë shumë që ai të arrijë të nxirret i gjallë. Puset e pambuluara janë një tipar i zakonshëm i fshatrave indiane, e kjo bën që shpesh të përfshihen në aksidente fatale të cilat përfshijnë fëmijë të vegjël.