Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe bashkëshortja e tij Lidija janë kërcënuar me vdekje të premten përmes rrjetit social Twitter.
Policia ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në këtë rast është duke vepruar sipas detyrës zyrtare.
Siç vë në pah mediumi në fjalë, kërcënimet janë dërguar nga një llogari me emrin Boris Jankoviq.
Paraprakisht, nga e njëjta llogari të mërkurën, kërcënime me vdekje i janë dërguar edhe deputetes Draginja Vuksanoviq Stankoviq, e cila po ashtu është në garë për mandatin presidencial.
E Vuksanoviq Stankoviq ka raportuar për kërcënimet në polici, është konfirmuar nga policia.
“Kërcënimet cilësohen si vepër penale e rrezikimit të sigurisë dhe për çdo gjë është njoftuar prokuroria kompetente”, citohet të jetë thënë nga policia.
Policia e Podgoricës, siç thuhet, është duke hetuar se kush qëndron pas llogarisë në Twitter nga e cila janë dërguar kërcënime për Gjukanoviq dhe Vuksanoviq Stankoviq.
Gjatë vitit të kaluar, Vuksanoviq Stankoviq ka marrë disa kërcënime, prandaj ajo ka pasur mbrojtje 24 orëshe policore që nga mesi i vitit të kaluar.