Forcat ukrainase dhe ato ruse janë bllokuar në betejën për të kontrolluar qytetin e Bahmutit, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se e ardhmja e Ukrainës do të vendoset në frontin lindor, ku po zhvillohen luftime shumë të ashpra.
Pavarësisht humbjeve të mëdha, forcat ruse kanë vazhduar të kryejnë një valë sulmesh në qytetin ukrainas Bahmut, si dhe në disa zona të tjera përreth rajonit lindor të Donjeckut, sipas ushtrisë ukrainase.
“Dje, forcat tona kanë zmbrapsur 102 sulme të armiqve… në Bahmut, armiku nuk ka pushuar në tentimet për ta marrë qytetin”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, duke shtuar se beteja të ashpra po zhvillohen edhe në Liman, Avdivka, Marinka dhe Shahtarsk.
“Është situatë shumë e rëndë në lindje, shumë e dhimbshme”, u ka thënë Zelensky ukrainasve në adresimin e tij të përditshëm.
“Ne duhet të shkatërrojmë fuqinë ushtarake të armikut, dhe do ta shkatërrojmë atë. Në Belohorivka, Marinka, Avdivka, Bahmut, Vuhledar dhe Kamianka, dhe të gjitha vendet tjera, është duke u vendosur e ardhmja jonë”, ka thënë Zelensky.
Forcat ukrainase janë duke bërë rezistencë të fortë në perëndim të Bahmutit, duke luftuar kundër sulmeve të luftëtarëve të grupit mercenar rus, Wagner.
Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i cili e ka postuar një video ku shihet në qendër të Bahmutit e ka pranuar se luftëtarët e tij po përballen më shumë vështirësi për të marrë kontrollin e qytetit.
“Situata në Bahmut është e vështirë, shumë e vështirë. Armiku është duke luftuar për çdo metër”, ka thënë Prigozhin në një postim në rrjete sociale, teksa ka treguar pamje të Bahmutit të shkatërruar, në të cilin para luftës kanë jetuar rreth 70.000 njerëz.
Lufta për Bahmutin është konsideruar si një prej betejave më të ashpra qëkur kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.