BotaLajme

Ligjvënësit britanikë diskutojnë planin për ndalimin e migracionit të paligjshëm

Parlamenti britanik diskutoi mes debatesh projektligjin e paraqitur nga qeveria e kryeministrit Rishi Sunak për ndalimin e migracionit të paligjshëm. Projekligji parashikon që azil-kërkuesit që hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britani, përmes varkave, do të mbahen të ndaluar për 28 ditë dhe më pas do të deportohen, me përjashtime të vogla. Përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan ashpër planin, që sipas tyre vë në rrezik personat e pambrojtur.

Partia Laburiste e opozitës në Britaninë e Madhe tha se plani i qeverisë për migracionin është një kartë në favor të trafikantëve, që do të vinte në rrezik personat më të pambrojtur.

Në debatin e së hënës të parlamentit britanik mbi projektligjin për migracionin e paligjshëm, që zgjati disa orë, përfaqësuesja e opozitës Yvette Cooper kritikoi ashpër qeverinë.

“Mesazhi i qeverisë britanike për trafikantët është ky: Mos u shqetësoni, për sa kohë ju sillni njerëz në mënyrë të paligjshme këtu, ne nuk do t’i ndihmojmë. Në fakt, mesazhi real është se do ndihmojmë kriminelët. Ne do t’i kërcënojmë të ardhurit me ndalim dhe deportim të menjëhershëm, kështu që ju mund të shtoni edhe më shumë kontrollin ndaj viktimave të trafikimit. Ky projekligj është një kartë e bardhë në favor të trafikantëve, është dita e skallvërisë moderne”, tha Yvette Cooper nga Partia Laburiste

Projektligji i propozuar kërkon që personat të cilët arrijnë në mënyrë të jashtligjme me varkë në Britani të ndalohen për 28 ditë dhe më pas të deportohen. Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët, ata që nuk janë të aftë për të kryer udhëtime ajrore për arsye mjekësore, njerëzit në rrezik të dëmtimit serioz dhe rastet me hapësira të kufizuara për apelim.

Emigrantët, që janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, nuk do të mund të përdorin ligjet ekzituese në Britani për të parandaluar dëbimin.

“Shihni sa poshtë kanë rënë ata dhe çfarë nuk po bëjnë për ta poshtëruar vendin tonë krenar? , tha Yvette Cooper nga Partia Laburiste

Zonja Cooper shtoi se projektligji është hartuar për qëllime politike dhe se kryeministri Rishi Sunak nuk do t’ia dijë për reputacionin ndërkombëtar, apo se në fund çmimin për këtë plan do ta paguajnë personat më të pambrojtur.

Kritika lështoi edhe ish kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May.

“E mirëpres marrëveshjen e fundit të firmosur me Francën, sepse e di që do të ketë një lloj ndikimi. Megjithatë, kush mendon se ky projekligji do t’i japë fund një herë e mirë migracionit dhe trafikimit njerëzor, e ka gabim, sepse një pjesë e mirë, për të mos thënë shumica e personave që qëndrojnë këtu në mënyrë të paligjshme, nuk kanë ardhur me varka. Kanë hyrë në mënyrë të ligjshme dhe kanë shkelur vizat”, tha ajo.

Qeveria britanike thotë se azilkërkuesit që po hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britani janë më shumë emigrantë ekonomikë sesa refugjatë duke sjellë si shembull rritjen e migrantëve nga Shqipëria, një vend europian që Britania e Madhe e konsideron të sigurt.

Grupet në mbrojtje të refugjatëve thonë se shumica e atyre që arrijnë në mënyrë të jashtëligjshme në Britani me varka të vogla nga ngushtica e La Manshit janë persona që po i largohen luftës, përndjekjes, ose urisë, nga vende si Afganistani, Irani dhe Iraku.

Në shumicën e rasteve të shqyrtuara, atyre u është dhënë azil në Britaninë e Madhe./voa

Show More

Related Articles

Back to top button