LajmeMaqedoni

Shaqiri për kërkesën të lehtësohet matura shtetërore: Duhet shqyrtuar çfarë lejon ligji

Do të duhet të shqyrtohet baza ligjore, çfarë lejon ligji të ndryshojë në këtë periudhë për organizimin e maturës shtetërore, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri lidhur me kërkesat e një pjese të maturantëve t’u lehtësohet dhënia e maturës shtetërore me atë që do të zvogëlohej vëllimi i materialit ose të zvogëlohet numri i provimeve interne.

Ministri kumtoi se javën e ardhshme do të ketë takim me drejtoreshën e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) që edhe njëherë, siç tha, “ta njoftojmë opinionin se cilat janë materialet dhe çfarë parashihet me to” dhe kërkesa e nxënësve të shqyrtohet së bashku me Unionin e nxënësve të shkollave të mesme me të cilin, siç tha, ka komunikim të përditshëm.

Shaqiri potencoi se për të është e rëndësishme ajo që nga matura shtetërore varen shumë procese të tjera – regjistrimi i nxënësve që e përfundojnë arsimin e mesëm në institucione të larta arsimore në shtet dhe në vende të tjera.

“Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP) gjatë periudhës së kaluar i pati disa takime me Unionin e nxënësve të shkollave të mesme dhe sipas informacioneve që i kam nga QSHP dhe nga Sektori për arsim të mesëm në MASH, një pjesë e materialit që u është dorëzuar nxënësve të shkollave të mesme është harmonizuar me atë se si është realizuar në vitet e kaluara shkollore. Por, pavarësisht kësaj, pas një proteste që u realizua dhe për një tjetër që është paralajmëruar, gjatë periudhës që pason do ta realizoj edhe një takim me QSHP-në si institucion i cili i përgatit të gjitha fazat e realizimit të maturës shtetërore dhe ta shqyrtojmë mënyrën se si të realizohet”, deklaroi Shaqiri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas prezentimit të rezultateve të Hulumtimit Evropian Shoqëror (HESH).

Organizata për dialog dhe afirmimin e nxënësve të shkollave të mesme (ODASHM) dje paralajmëroi protestë paralajmëruese për të premten për ta aktualizuar kërkesën për lehtësimin e dhënies së maturës shtetërore pasi vlerësojnë se janë gjeneratë e dëmtuar, e cila, siç deklaroi kryetarja e ODASHM, Anisia Ugrinovska, nuk e kanë pasur asnjë vit shkollor të plotë pa ndërprerje për shkak të dy faktorëve kryesorë – krizës së koronavirusit dhe alarmeve për bomba. Që atje kumtuan se kërkesën do ta dërgojnë në Kuvend dhe në MASH.

Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme, Luka Paviqeviq, dje deklaroi se Asamblea e përgjithshme e tyre për një deri në dy javë do të prononcohet për këtë çështje dhe se ambasadorët e tyre kontaktojnë çdo ditë me nxënësit e shkollave të mesme nga qytetet ku kanë degë, grumbullojnë të dhëna dhe ide dhe i analizojnë.

Sipas zgjidhjes ligjore aktuale, maturantët i japin dy lëndë eksterne dhe dy interne dhe një detyrë projekti. Testimi për provimin e parë ekstern – Gjuhë amtare (maqedonase, shqipe apo turke) dhe letërsi është caktuar për më 27 maj, ndërsa më 10 qershor sipas kalendarit të Qendrës Shtetërore të Provimeve, duhet të jepet provimi i dytë ekstern – zgjedhje midis lëndëve matematikë, gjuhë angleze, franceze, gjermane, ruse, filozofi dhe estetikë.

Show More

Related Articles

Back to top button