LajmeMaqedoni

Dygjuhësi në Gostivar, Tetovë, e diku tjetër…, e krahasuar me një shembull zviceran

Shkruan: Lirim Begzati

Kur e vërejmë praktikën e dygjuhësisë në sistemin gjyqësor të Tetovës dhe të Gostivarit, shpesh na shkon mëndja në një aspekt krahasues, tek një shembull që e hasim në sistemin gjyqësor dhe praktikën e administratës publike të qytetit Biel/Bienne, në Zvicër. Një qytet ky me një përbërje etnike/nacionale që i ngjason asaj të qyteteve tona të përmendura. Një qytet ku përdoren në mënyrë të barabartë dhe të ekuilibruar të dyja gjuhët zyrtare, gjuha gjermane dhe ajo frënge.

Për shkresat, vendimet, ankesat, por edhe për shumë aspekte dhe formalitete të tjera procedurale përdoren paralelisht të dy gjuhët zyrtare të institucioneve gjyqësore. E njëjta rregull vlen edhe për institucionet e administratës publike në përgjithësi.

Që nga momenti kur futemi në brendinë e gjykatës së këtij qyteti, ku lokalet i bashkëndajnë prokurorët, gjyqtarët dhe personeli tjetër gjyqësor, në sportele mund të përdoret si gjuha frënge ashtu edhe ajo gjermane. Pa asnjëfarë kompleksi! Kurse, duke ecur nëpër hapësirat e gjykatës, kur kalojmë përreth ndonjë personi, posaçërisht të personelit të gjykatës, lirshëm mund t’a përshëndesim dhe t’a pyesim me gjuhën që flasim apo të cilën e preferojmë. Është tejet vështirë të gjesh dikë që do të n’a thoshte “nuk e kuptoj këtë gjuhë”! Shpalljet apo informatat në muret e ndërtesës, edhe ato i hasim në dy gjuhë.

Duke bërë pak hapa, pas largimit nga hapësirat e gjykatës, brenda vetëm pak minutash iu afrohemi zyrave noteriale. Dikush në gjermanisht dikush në frëngjisht, çdokush e përdorë gjuhën e vetë, sipas dëshirës së vetë dhe sipas kompetencave të veta gjuhësore. Pa asnjë rezervë. Jo vetëm se gjërat janë të garantuara me ligj, por lehtë bie në sy fakti i shprehjes së kënaqësisë dhe të spontanitetit për me i përdorur të dy gjuhët e këtij qyteti.

Kuptohet pra se edhe interesi personal, e sidomos ai profesional mbanë njëfarë ndikimi! Pa marrë parasysh. Të gjitha këto dukuri ndodhin në ambientet e një shoqërie që e privilegjon bashkëjetesën, që i ka kuptuar mirë realitetet dhe nevojat e një shoqërie ku bashkëjetojnë etnitë dhe nacionalitetet e ndryshme.

Të gjithë këto protagonistë të sistemit të drejtësisë e kanë kuptuar që kah moti se për me qenë efikas dhe për me iu përgjigjur kërkesave profesionale të kohës dhe të vendit ku jetojmë, por edhe nevojave të qytetarëve, duhet të mësohen dhe të përdorën që të dy gjuhët.

Nuk mund të imagjinohet që të punohet në instancat gjyqësorë të këtij qyteti në qoftë nuk zotërohen të dy gjuhët. Ekziston megjithatë një shkallë tolerance; nuk kërkohet një njohje perfekte, por së paku një njohje e mjaftueshme për me i konsultuar pa vështirësi dosjet apo shkresat e lëndës. Jo pra, është e paimagjinueshme me u integruar në postet e përmendura nëse kandidati nuk posedon njohuri të mjaftueshme në të dy gjuhët zyrtare të këtij qyteti.

Shprehen shpeshherë shenja krenarie dhe kënaqësie tek ata të cilët kanë prirje në të dy gjuhët. Kurse bie në sy edhe një ndjenjë sadopak keqardhjeje apo dobësie tek ata të cilët nuk posedojnë njohuri të mjaftueshme të gjuhës tjetër. Qofshin raste të rralla këto!

Nëse i bëjmë disa hapa përballë godinës së gjykatës, do të bien menjëherë në sy edhe emrat e rrugëve që janë të shënuara në dy gjuhë. Bien në sy edhe shumë shembuj të tjerë të ngjashëm, sa që nganjëherë me plot arsye mund të parashtrohet edhe pyetja për me ditur se “si kanë arritur deri këtu”! Përgjigja mund të gjurmohet në historinë e këtij qyteti i cili në të gjitha etapat e rrugëtimit të tij, iu është përkushtuar me kujdesin më lartë vlerave të bashkëjetesës dhe mirëqenies së përbashkët.

E pikërisht në rrugët e këtij qyteti, diku do të mund të gjendet edhe adresa e ndonjë partie politike. Qoftë ajo radikale, socialiste, etj., qoftë ajo e djathtë apo e majtë. Po të gjitha këto punojnë së bashku, e jo në mënyrë të ndarë. Nuk ekzistojnë partitë etnike, të ndara në baza etnike, të atyre që e flasin gjuhën gjermane dhe të atyre që flasin një gjuhë tjetër. Ekzistojnë vetëm parti të përbashkëta. Në tubimet e tyre, çdokush mund të shprehet lirshëm në gjuhën e vetë, e kurse tjetrit kjo nuk i pengon aspak. Përkundrazi, çdokush e jep mundin për me e kuptuar njëri tjetrin, duke e respektuar të drejtën e njëri tjetrit!

Pra, jo vetëm sistemi gjyqësor, por edhe shumë praktika të tjera funksionimi e rikonfirmojnë praninë dhe domethënien e dygjuhësisë në mjediset ku ajo duhet të kultivohet dhe respektohet. Kështu rezymohet ky shembull model, i qytetit të Biel/Bienne, i cili pa asnjë dilemë mund të shërbej si burim frymëzimi për të tjerët, e pse jo edhe për ne!

Kjo është pra dygjuhësia, kjo është pasuria dhe bazamenti i bashkëjetesës! Vështirë me gjetur definim tjetër më të mirë!

Në kuadër të reflektimeve mbi këtë çështje, m’u kujtua edhe fjala e një bashkëvendësit timë nga Gostivari, i cili, diku para disa viteve, duke u afruar së bashku te ura e Vardarit, e shprehu kënaqësinë kur e vërejti se në afërsi të urës, emri i lumit ishte i shënuar edhe në gjuhën shqipe, dhe m’a përkujtoi një shembull krahasues të së kaluarës ku emri i lumit kishte qenë i shënuar vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo është diçka e rëndësishme, u shprehë ai. Por menjëherë ra në sy se përball kësaj ure, shtrihen gjykata dhe disa zyra noteriale, e atje aktet përpilohen vetëm në një gjuhë, nuk bihen aktgjykime në gjuhë të tjera, u shtrua pyetja? Çdo gjë u dukë e komplikuar për me dhënë përgjigje! Jo, kjo nuk quhet dygjuhësi!

Show More

Related Articles

Back to top button