GostivarLajme

Kalatë e Gostivarit, në mungesë të një muzeu artefaktet dërgohen në Shkup

Monedha, enë dhe vegla pune janë vetëm disa nga objektet e gjetura në kalanë e fshatit Gjenovicë dhe atë të fshatit Raven në Gostivar. Këto gjetje kanë ardhur në disa faza nga ana e Qendrës për Konservim, e cila punimet në këto dy lokalitete i vazhdon edhe gjatë këtij viti, gjegjësisht për tre vite me rradhë. Bafqar Nuredini, drejtor i ri i kësaj qendre sqaron se këto kala datojnë që nga shekulli i IV-të, por në mungesë të mjeteve gërmimet zhvillohen ngadalë. I pyetur ku dërgohen artefaktet e gjetura nga këto dy kala, Nuredini thotë se në mungesë të një muzeu në Gostivar, të njejtat detyrohen t’i dërgojnë në Shkup. Për sigurinë e tyre, ai thotë se si qendër nuk mund të mbajnë llogari, pasi ato merren vetëm me konservim.

“Kalatë i takojnë periudhës nga shekulli i IV-të deri në shekullin e XII-të nga ajo që është arritur të zbulohet deri tani, d.m.th., shtresat e zbulura deri më tani janë të kësaj periudhe kohore. Janë zbuluar monedha, janë zbuluar mjete të ndryshme të cilat banorët e asaj zone i kanë shfrytëzuar në përditshmërinë e tyre duke filluar nga veglat, armë e kështu me radhë. Ne si qendër në bashkëpunim me bashkëpunëtorët e jashtëm që kanë qenë prezent gjatë gërmimeve arkeologjike, është bërë konsevrimi i tyre dhe janë dërguar në Muzeun e qytetit të Shkupit. Ne në mënyrë institucionale kemi rregulluar dhe kemi përfunduar të gjithë çështjen se çfarë është kërkuar prej qendrës sonë dhe ne nuk kemi qasje se si janë vendosur atje dhe si ruhen ato objekte. Prandaj e theksova më herët që sa më shpejtë ne në qytetin tonë të kemi një muze ku do kishim hapësirën tonë për konzervim, ruajtje dhe do ti ekspozonim para qytetarëve dhe mysafirëve që vijnë në Gostivar”, deklaron Bafqar Nuredini, drejtor i Qendrës për Konservim në Gostivar.

Se kush ishte popullata që ka jetur në këto dy kala, sipas Nuredini kjo u takon institucioneve të tjera ta thonë ose do të duhet të presim derisa gjetjet nga fazat e tjera të gërmimeve të sjellin dëshmi shtesë.

“Nëse flasim për popullatën, ato janë lokacione që kanë vazhdimësi të jetesës nga periudhat e mëhershme kohore historike. Fazat e ardhshme sigurisht do ta dëshmojnë një elemet të këtillë, por ne nuk jemi të thirrur si institucion për të dëshmuar apo deklaruar pasi qendra merret me konservimin e të gjitha elementeve të gjetura në ato lokacione derisa realizohen gërmimet arkeologjike. Sigurisht ka institucione dhe persona më të thirrur që mund të dëshmojnë një elemt të tillë se kujt i takojnë”, deklaron Bafqar Nuredini, drejtor i Qendrës për Konservim në Gostivar.

Nuredini beson se këto kala janë Ilire në të cilat ka pasur jetesë në vazhdimsi nga popullata lokale e asaj kohe, ndërsa sot rreth tyre janë ngritur vendbanimet e reja ku jeton popullata e tanishme.
“A kanë qenë kala Ilire? – Unë besojë se sigurisht që po”, përgjigjet shkurt Nuredini.

Këtë vit, Qendra për Konservim në Gostivar fillon me gërmime edhe në lokalitetin “Prapadishte” në Balindoll, vendbanim ku poashtu pritet të dalin gjetje të rëndësishme arekologjike.

“Njejtë sikurse në kalan e Gjenovicës dhe të Ravenit, besoj se janë zona të vjetra arkeologjike dhe besoj se edhe aty do të arrijmë deri te ato artefakte të cilat para së gjithash do të dëshmojnë lashtësinë e vendbanimit të atyre zonave pasi më lartë prej Prapadishtës kemi edhe kalanë e vogël dhe të madhe të fshatit Çajlë, ku edhe atje në një të ardhme të afërt, planifikojmë të fillohen punime arkeologjike dhe të dyja ato lokacione dhe hapësira të tjera që ndodhen në vijën e Malit të Thatë, janë dëshmi e banimit të hershëm të këtyre hapësirave gjeografike këtu në territorin e vendit tonë”, deklaron Bafqar Nuredini, drejtor i Qendrës për Konservim në Gostivar.

Pos muzeut për ruajtjen e artefakteve, Gostivarit i mungojnë edhe arekologët. Nuredini sqaron se aktualisht nga 18 të punësuar në Qendrën për Konservim, ka vetëm një arekolog. Ndryshe, projektet për vazhdimin e gërmimeve në kalanë e Gjenovicës dhe asaj të Ravenit, Ministria për Kulturë i ka pranuar për këtë vit, ndërsa dokumentacioni për lokacionin “Prapadishte” në Balindoll është në përgatitje e sipër.

Show More

Related Articles

Back to top button