LajmeRajon

Javës tjetër samiti i BE-së, Rama: Nuk kemi pritshmëri, asgjë s’do ndodhë

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Politico.eu” tha se nuk pret që në samitin e BE-së që pritet të mbahen javën e ardhshme t’i hapë rrugën vendit të tij për të filluar bisedimet e anëtarësimit dhe për këtë fajësoi Bullgarinë.

“Nuk kam asnjë pritshmëri. Unë mendoj se asgjë nuk do të ndodhë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të hapin zyrtarisht bisedimet për të pasur anëtarësim”, tha ai, i ulur në një kolltuk lëkure me ngjyrë kafe në zyrën e tij në Tiranë, shkruan Politico.

I pyetur nëse ndonjë lider i BE-së kishte sinjalizuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti, Rama u përgjigj:

“Çfarë sinjalesh mund të japin? Nuk ka të bëjë me ta. Përsëri, bëhet fjalë për Bullgarinë. Të gjithë janë dakord, të gjithë mbështesin, të gjithë mendojnë se kjo duhet të ndodhë, dhe kjo duhet të kishte ndodhur tashmë. Por kufiri i tyre i manovrimit është i kufizuar nga Bullgaria.”

“Rama, 57 vjeç, një ish-basketbollist dhe një piktor, i cili ka mbuluar muret e zyrës së tij me veprat e tij shumëngjyrëshe, tha se nuk priste që udhëheqësit bullgarë të ndryshonin pozicionin e tyre, pasi ata e kishin ngritur mosmarrëveshjen në një çështje kaq të madhe sa ishte shumë e vështirë të tërhiqesh”, shkruan Politico.

“Është një spirale. Ata kanë hyrë në një spirale. Dhe nga kjo spirale, është shumë, shumë e vështirë të dalësh”, deklaroi Rama, i cili do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel përpara samitit.

Rama konfirmoi dhe një herë se nëse nuk ka përparim këtë muaj, ai do të kërkojë që kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim të trajtohet veçmas nga ajo e Maqedonisë së Veriut, një hap që BE deri tani ka hezituar ta ndërmarrë, pasi zyrtarët argumentojnë se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.

“Nëse asgjë nuk ndodh në qershor, ne do të kërkojmë të ndahemi”, tha Rama.

“Kam besim se kjo është ajo që duhet të bëjmë, atëherë nëse [udhëheqësit e BE-së] do të pajtohen apo jo, do të shohim.”

Show More

Related Articles

Back to top button