LajmeMaqedoni

Qytetarët kërkojnë që buxheti të orientohet në ndërtimin e shkollave dhe rrugëve

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut gjatë kësaj jave po debaton për rishikimin e buxhetit të shtetit, teksa qytetarët e anketuar kërkojnë projekte konkrete që do t’iu përmirësonin jetesën.

Qytetarët e anketuar në Shkup dhe Gostivar thonë se kanë pak besim se ndryshimi i gjendjes do të bëhet përmes presionit publik.

Ratko Jakimovski u shpreh i indinjuar se projektet infrastrukturore po shkojnë ngadalë, ndërkaq po thellohet borxhi i shtetit për mjete plotësuese që kërkohen disa herë për realizimin e projekteve.

“Infrastruktura duhet të mbetet kryefjala e çdo qindarke të shpenzuar nga arka e shtetit. Megjithëse nuk e di se ku shpenzohen këto mjete, pasi tërë kohën ministritë e caktuara kërkojnë mjete plotësuese për realizimin e projekteve kapitale si për rrugë, shkolla apo objekte shëndetësore, ndërkohë që këto projekte mbeten të papërfunduara dhe nga ana tjetër, shteti thellon borxhin publik dhe askush nuk përgjigjet për këtë. Ja një shembull, autostrada Kërçovë-Ohër nuk po përfundon me vite. Tani po dëgjoj se do të kushtojë 200 milionë euro më shumë nga ajo që ishte paraparë”, tha Jakimovski.

Gjatë javës, debati në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po vazhdon me përplasje midis pushtetit dhe opozitës se cilët duhet të jenë prioritetet e rishikimit të buxhetit.
Në bazë të projeksioneve për rishikimin e buxhetit, të ardhurat në arkën e shtetit pritet të arrijnë në 4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet 4.7 miliardë.

Për këtë arsye shteti planifikon të marrë 900 milionë euro borxh, kurse nuk përjashtohet mundësia që huamarrja të jetë edhe më e lartë duke tejkaluar madje një miliard euro.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, rishikimin e buxhetit të shtetit e ka arsyetuar me ruajtjen e stabilitetit ekonomik në kushte krize.

“Shuma prej 54.5 milionë denarë së bashku me borxhin që duhet të shlyhet këtë vit, do të financohet me huamarrje dhe kredi të brendshme dhe huamarrje të jashtme. Kjo do të mundësojë financimin e paketave të ardhshme për përballimin e krizës, objektivi i ndihmës për qytetarët do të vazhdojë dhe rishikimi i buxhetit do të jetë përgjigje ndaj rritjes anti-krizë të pagës minimale, pensioneve dhe transferave sociale dhe subvencioneve për fermerët”, tha Besimi.

Por, për partitë opozitare, rishikimi paraqet një tregues të qartë se shteti është në prag të falimentimit.

Përderisa socialdemokratët në pushtet janë arsyetuar se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve do të destinohet për qytetarët që të përballen me lehtë me krizën e rritjes së çmimeve.

Ekspertët e ekonomisë thonë se rishikimi është i pashmangshëm me qëllim që të harmonizohen financat publike me krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe kriza e nxitur nga lufta në Ukrainë, që ka goditur qytetarët dhe bizneset.

“Ku duhet të vendoset theksi në këtë situatë është mbështetja e vazhdueshme e komunitetit të biznesit me këtë gjithsesi edhe të qytetarëve. Por, mbi të gjitha, pavarësisht që kemi të bëjmë me një situatë të krizës jam ithtarë i asaj që investimi në projektet kapitale në asnjë moment nuk duhet të ndalojë për faktin se pikërisht investimi në projektet kapitale paraqitet si lokomotiva lëvizëse e zhvillimit ekonomik, përkatësisht mbajtjes në kondicion të kompanive vendore”, thotë Arben Halili ligjërues i ekonomisë në Universitetin e Tetovës si dhe zyrtar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Autoritetet shtetërore kanë bërë të ditur se 76 milionë euro shtesë që janë planifikuar në rishikimin e buxhetit, janë të destinuara në rast se do të jetë e nevojshme që deri në fund të vitit të ndërhyhet sërish me masa të reja kundër krizës nga lufta në Ukrainë për mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve./REL

Show More

Related Articles

Back to top button