Prodhimi global i kokainës ka arritur nivele rekord me një rikthim të fortë të kërkesës pas izolimit prej pandemisë së Covid 19-tës.
Në raportin e fundit të saj, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin tregon se nga viti 2021 deri në 2022-shin, prodhimi i kokës u rrit në masën 35%, teksa qendra të reja trafikimi janë shfaqur në Afrikën Perëndimore dhe atë Qendrore.
Trafikantët rezulton po ashtu të përdorin më shpesh shërbimet postare ndërkombëtare për të dërguar drogën tek konsumatorët. Europa dhe Amerika e Veriut janë tregjet më të mëdha për kokainën, të ndjekura nga Amerika e Jugut, ajo Qendrore dhe Karaibet. Por ndonëse tregjet në Afrikë dhe Azi vazhdojnë të mbeten “të kufizuara”, Ghada Waly e OKB-së e cilësoi një realitet të rrezikshëm mundësinë që ato të zgjerohen.
Sipas Raportit Global për Kokainën, rritja e prodhimit është rrjedhojë e një zgjerimi në kultivimin e bimëve të kokainës, por edhe përmirësimit të metodave të konvertimit të kokës në kokainë pluhur.
“Të dhënat që disponojmë, nxjerrin në pah faktin se roli i Afrikës, veçanërisht asaj Perëndimore dhe Qendrore, si një zonë tranziti për kokainën në rrugën e saj drejt tregjeve në Europë është rritur ndjeshëm që nga viti 2019”, thuhet aty.
“Si sasia totale e drogës së sekuestruar në Afrikë, ashtu edhe numri i konfiskimeve shënuan nivele të paprecedentë gjatë vitit 2021”, nënvizohet më tej.
Pandemia e koronavirusit pati ndikim të madh mbi tregjet e drogës, pasi udhëtimet ndërkombëtare u prekën ndjeshëm prej masave kufizuese. Por rënia ka qenë e përkohshme, dhe nuk preku tendencën afatgjatë, e sot furnizimi global i kokainës ka kapur sërish majat, sipas OKB-së.
Në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të veçantë ka pasur një “rritje të konsiderueshme” të konfiskimeve të kokainës së dërguar me postë, por nga ana tjetër në rritje duket të jetë edhe niveli i përgjimeve nga forcat e rendit dhe reagimi i autoriteteve.