Sipas një organizate të të drejtave të njeriut, një gjykatë në Shën Petersburg të Rusisë, i dha mbështetje një ushtari të rekrutuar gjatë fushatës ushtarake në Ukrainë, që të kryejë shërbim alternativ civil.
Grupi tha se gjykata e rajonit të Leningradit vendosi të enjten se ushtari i rekrutuar kishte të drejtë të kryente shërbime tjera alternative, për shkak të besimeve të tij fetare.
Mediat ruse thanë se rekruti, një i krishterë ungjillor, në vend të shërbimit të ushtarak, kreu shërbim alternativ edhe në vitin 2019.
Kur u rekrutua në bazë të urdhrit të “mobilizimit të pjesshëm” të presidentit Vladimir Putin në muajin shtator të vitit 2022, ai bëri kërkesë që përsëri të kryente shërbime alternative, në mënyrë që mos t’i bashkohej ushtrisë.
Gjykata, më 16 mars e mbështeti të drejtën e tij për shërbim alternativ, dhe vendimi i së enjtes hodhi poshtë një apel të nisur nga zyrtarët ushtarakë me arsyetimin se e drejta e tij fetare nuk ishte e zbatueshme për thirrjen speciale.
“Kanë mbetur formalitete për të përfunduar lidhur me lirimin e tij nga detyra, por nuk ka arsye për ta mbajtur atë në bazë ushtarake”, tha organizata Ombudsmani Voenniy, e cila mbron të drejtat e ushtarëve.
Sipas tyre, me këtë vendim të gjykatës “është krijuar një precedent”.
Zyrtarët thanë se urdhri i mobilizimit i Putinit, i lëshuar pasi fushata ushtarake e Moskës hasi në vështirësi në Ukrainë, rezultoi në thirrjen për rekrutimin e 300,000 burrave.
Ky vendim nxiti protesta në disa zona dhe mijëra burra u larguan nga Rusia.
Kohëve të fundit ka pasur sugjerime të shumta që mund të lëshohet një urdhër i ri mobilizimi nga Putini, por ende nuk janë shpallur plane konkrete. /REL