Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka dekretuar këtë të premte, 21 prokurorë me mandat fillestar për tre vite, ndërkohë që të njëjtit do të sistemohen në prokuroritë themelore.
“Në ceremoninë e betimit, Presidentja Osmani ka theksuar se integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazinë dhe besimin qytetar”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Në komunikatë thuhet se presidentja Osmani i ka ftuar prokurorët e rinj që të angazhohen për një sistem të drejtësisë të pavarur, të pandikuar dhe profesional.
“Ndërkaq prokurorët e rinj janë betuar se gjatë kryerjes së detyrave do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale”, thuhet në komunikatë.