BotaLajme

Koreja e Veriut, provë me raketë balistike ndërkontinentale

Koreja e Veriut tha sot se lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale për të “frikësuar armiqtë”, ndërsa Koreja e Jugut dhe Japonia ranë dakord në një takim për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë rajonale me Shtetet e Bashkuara dhe po zhvillojnë një stërvitje ushtarake në të gjithë rajonin.

Raketa u lëshua të enjten në mëngjes, disa orë përpara se presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, të takohej me kryeministrin japonez Fumio Kishida në një samit që synonte pjesërisht thellimin e marrëdhënieve në fushën e sigurisë përballë kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Me katër prova me raketa në rreth një javë, Koreja e Veriut ka intensifikuar reagimin e saj ndaj stërvitjeve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Manovrat e tanishme janë ndër më të mëdhat në vite.

E lëshuar në një kënd të lartë për të shmangur territorin e fqinjëve të Koresë së Veriut, raketa arriti një lartësi maksimale prej 6045 kilometrash, përpara se të binte në ujërat e brigjeve lindore të vendit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut.

Në një konferencë shtypi të enjten, zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Patrick Ryder përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se manovrat me Korenë e Jugut dhe Japoninë janë të natyrës mbrojtëse.

“Stërvitjet që Shtetet e Bashkuara po bëjnë me Japoninë dhe Korenë e Jugut janë të natyrës mbrojtëse dhe synojnë të forcojnë ndërveprimin tonë dhe të frenojnë agresionet e mundshme në rajon. Ky është qëllimi i parë dhe më i rëndësishëm. Reagimet e Koresë së Veriut ndaj këtyre stërvitjeve, siç e kam thënë më parë, janë të papërshtatshme, destabilizuese dhe shqetësuese për vendet e rajonit”, tha ai.

Ushtria e Koresë së Jugut dhe ajo e Japonisë dhanë vlerësime të ngjashme, duke thënë se rrezja e veprimit të raketës së Phenianit mbërrin deri në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Mbetet e paqartë nëse Koreja e Veriut ka prodhuar bomba të vogla bërthamore që mund të instalohen në raketat e saj me rreze të gjatë veprimi ose teknologjinë për t’u siguruar që mbushjet e saj bërthamore mund t’i mbijetojnë rihyrjes në atmosferë pas lëshimit në një trajektore normale.

Lëshimi i raketës u vëzhgua nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe vajza e tij, që besohet se quhet Kim Ju Ae dhe është rreth 10 vjeç.

Ajo e ka shoqëruar atë në disa ngjarje ushtarake që nga nëntori i vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë në mes të një stërvitjeje të madhe të përbashkët ushtarake 11-ditore, më e madhja e këtij lloji në pesë vjet. Stërvitjet janë shtuar gjatë vitit të kaluar, pasi Koreja e Veriut ka lëshuar një numër rekord raketash.

Show More

Related Articles

Back to top button