BotaLajme

Trump thotë se pret “të arrestohet” të martën, bën thirrje për protesta

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se pret të arrestohet të martën, bazuar, sipas tij, në një rast të trajtuar nga Zyra e Prokurorit në qarkun e Manhatanit.

Ai e ka bërë këtë deklaratë në rrjetin e tij social, Truth Social, të shtunën, transmeton REL.

“Kandidati favorit i republikanëve dhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara do të arrestohet të martën e javës së ardhshme. Protestoni, rikthejeni kombin tonë sërish”.

Sipas raportimeve në media, hetimet në këtë gjykatë kanë për bazë një pagesë prej 130.000 dollarëve, e cila është kryer disa javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, për të bllokuar Stormy Daniels, emri real i së cilës është Stephanie Clifford, që të tregojë publikisht për një aferë, që ka thënë se e ka pasur me Trumpin, vite më parë.

Prokurorët janë duke analizuar nëse do ta akuzojnë Trumpin për këtë rast.

Nëse Prokurori i gjykatës së qarkut në Manhatan e padit Trumpin, atëherë 76-vjeçari do të bëhet ish-presidenti i parë amerikan që akuzohet për krim.

Një avokat i Trumpit ka thënë për rrjetin CNBC të premten se klienti i tij do të dorëzohet për t’u përballur me akuzat, nëse do të paditet.

Trump e ka hedhur poshtë vazhdimisht ndonjë aferë me Daniels.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit për qarkun e Manhatanit, nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.

Show More

Related Articles

Back to top button