Gjashtë projekte, prej të cilave dy janë për gërmime arkeologjike, nga një për restaurim, evidentim, informim dhe njohje, ka qenë bilanci i punës së Qendrës për Konsevrim në Gostivar gjatë vitit 2022. Bafqar Nuredini, drejtor i kësaj qendre thekson se për shkak të krizës financiare Ministria për Kulturë nuk i ka përkrahur të gjitha projektet me të cilat ata kanë aplikuar.
“Si projekt i parë i realizuar ishte njohja e nxënësve me trashigiminë kulturore të qytetit të Gostivarit ku Qendra në bashkëpunim me shkollat e qytetit njoftoi nxënësit për së afërmi me historikun e objekteve që janë në mbrojtje të trashigimisë kulturore të Gostivarit. Projekti i dytë i realizuar gjatë vitit 2022 ka qenë evidentimi i plastikës së gurit të objekteve profane, projekti i tretë ishte faza e dytë e punimeve në Xhaminë e Vjetër të fshatit Raven dhe kemi gërmimet arkelogjike të cilat janë realizuar në dy lokacione shumë të rëndësishme, pra në Kalanë e fshatit Raven dhe në Kalanë e fshatit Gjenovicë. Këto gërmime kanë zbuluar artefakte të rëndësishme në kuadër të atyre zonave, mirëpo për fat të keq në mungesë të një muzeu në Gostivar, të gjitha ato artefakte barten në muzeun e qytetit të Shkupit. Uroj që sa më parë në qytetin tonë ta kemi muzeun tonë dhe ato artefakte t’i ruajmë këtu. Në vijim e sipër nga viti 2022 e kemi edhe projektin që ka të bëjë me vendosjene e tabelave informuese pranë objekteve kulturore në qytetin tonë”, deklaron Bafqar Nuredini, drejtor i Qendrës për Konservim në Gostivar.
Këtë vit, Qendra për Konservim ka aplikuar me 20 projekte në Ministrinë për Kulturë, por edhe sivjet numri i projekte të miratuara, është vetëm shtatë. Nuredini shpreson se periudhën në vijim do të ketë edhe projekte tjera që do të pranohen.
“Ne kemi informata se nga Minstria e Kulturës na janë miratuar një pjesë e konsiderueshme e atyre projekteve siç është projekti për realizimin e modeleve të trashigimisë kulturore apo ‘maketa’ që është një risi pasi projekti është i ri në kuadër të Qendrës për Konservim, kemi pastaj evidentimin e plastikës së gurit i cili është projekti që realizohet në disa faza, viti 2022 ka qenë faza e parë, këtë vit kemi fazën e dytë dhe do të vijojmë me fazën e tretë. Kemi edhe projektin për konservimin e ikonave në Kishën e Shën Dhimitrit këtu në qytetin e Gostivarit, kemi fazën e tretë në Xhaminë e vjetër të fshatit Raven. Kjo fazë duhej të realizohet gjatë vitit 2022, por në mungesë të mjeteve financiare e prolongoi dhe e kemi të paraparë gjë këti viti. Këtu dua të falenderojë edhe Muftininë e qytetit tonë e cila vazhdimisht na ka mbështetur në projekte të kësaj natyre dhe na mbështet edhe në kuadër të kësaj faze të tretë me një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare pasi edhe synimi i Qendrës, Muftinisë dhe i banorëve të Ravenit është që të përfundohet puna në kuadër të Xhamisë së Vjetër të këtij fshati”, deklaron Bafqar Nuredini, derjtor i Qendrës për Konservim në Gostivar.
Që mos pritet vetëm nga Ministria për Kulturë, Qendra për Konservim në Gostivar, ka filluar bashkëpunimin me Qendrën për Konservim të qytetit të Prishtinës, prej ku pret që me aplikim në fondet e jashtme, të mund të realizohenn më shumë projekte.
“Kemi një risi gjithashtu në kuadë të projekteve të këtij viti që është bashkëpunimi me institucionet si motra nga Republika e Kosovës, saktësisht me Qendrën në qytetin e Prishtinës me të cilën ne do të shkëmbejmë përvoja dhe njëkohësisht do të aplikojmë për fonde të BE-së, në IPA Fonde me projekte të përbashkëta që do të realizohen në të dyja vendet, edhe në vendin tonë edhe në Republikën e Kosovës. Kemi vazhdimin e punimeve në Kalatë e fshatit Raven dhe Gjenovicë me fazat tjera, dhe në përfundim e sipër jemi me përgatitjen e dokumentacionit për lokacionin arkeologjik “Prapadishte” në fshatin Balindoll që është një lokacion shumë i rëndësishëm dhe ka hapësirë të konsiderueshme për të punuar dhe shpresojmë se edhe për atje do ta kemi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe të nxjerrim edhe nga atje artefakte dhe ta nxjerrim në shesh çka fsheh edhe ky lokacion i rëndësishëm arkeologjik”, deklaron Bafqar Nuredini, drejtor i Qendrës për Konservim në Gostivar.
Për lokacionin arkeologjik “Prapadishte” në fshatin Balindoll ende nuk ka miratim nga Ministria për Kulturë, por me kompletimin e dokumentacionit, Nuredini beson se edhe ky projekt do të pranohet nga ministria në fjalë.