I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e quajti marrëveshje të rëndësishme dhe historike atë mes Kosovës dhe Serbisë që u arrit të shtunën në Ohër.
Sipas tij, mungesa e nënshkrimit nga palët nuk ndryshon asgjë dhe të dy shtetet kanë obligime ligjërsisht të detyrueshme.
Zëvendës ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike tregoi edhe për obligimet kryesore që rrjedhin për palët.
“Samiti ishte i suksesshëm në hapjen e rrugës për një marrëdhënie paqësore dhe konstruktive ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Hapat e ardhshëm janë që të dyja palët të fillojnë me zbatimin siç u përshkrua të shtunën. Të dyja palët kanë obligime ligjërisht të detyrueshme që duhet të përmbushin.
Nga ana serbe, është fillimi i njohjes së disa dokumenteve të Serbisë – Kosovës, dhe simboleve të tjera shtetërore dhe dokumenteve të identifikimit, dhe gjërave të kësaj natyre. Për Kosovën, është e rëndësishme që ata të fillojnë hartimin e versionit të tyre të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por ka edhe shumë obligime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”, tha Escobar.
Mungesën e nënshkrimeve nga palët në këtë marrëveshje, zyrtari i lartë amerikan, nuk e sheh si shqetësuese.
Sipas Escobar, firmat mbi marrëveshjen e dakorduar nuk kanë qenë çështje kryesore në Ohër, por përafrimi i qëndrimeve dhe marrja përsipër e obligimeve.