Izraeli ka njoftuar kufizime të ndryshme për palestinezët gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në lidhje me hyrjen në Xhaminë Al-Aksa, raporton Anadolu.
“Gratë e të gjitha moshave, fëmijët meshkuj deri në 12 vjeç dhe meshkujt mbi 55 vjeç do të lejohen të hyjnë në Xhaminë Al-Aksa gjatë Ramazanit pa leje”, tha në një deklaratë koordinatori i Aktiviteteve Qeveritare në Territoret, Gjeneral Major Ghassan Alyan.
Ai shtoi se Izraeli do të “imponojë një leje për burrat nga 45 deri në 55 vjeç”.
Zyrtari izraelit tha gjithashtu se kërkohet një “miratim sigurie” që palestinezët në Bregun Perëndimor të vizitojnë të afërmit e tyre në 48 territoret tjera, ose që të huajt të vizitojnë të afërmit e tyre në Bregun Perëndimor.
Ai theksoi se “orët e punës do të shtohen në vendkalimet e ndryshme të Bregut Perëndimor gjatë muajit të Ramazanit”.
Në lidhje me Gazën, sipas deklaratës, Izraeli vendosi një “kuotë të kufizuar” për të hyrë në xhaminë Al-Aksa, edhe atë për gratë e moshës mbi 50 vjeç dhe burrat e moshës mbi 55 vjeç, nga e diela deri të enjten.
Tensioni është përshkallëzuar në Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit mes sulmeve të përsëritura ushtarake izraelite në qytetet palestineze.
Sipas të dhënave palestineze, afro 90 palestinezë janë vrarë nga të shtënat izraelite që nga fillimi i këtij viti.
Katërmbëdhjetë izraelitë janë vrarë gjithashtu në sulme të veçanta gjatë së njëjtës periudhë.