Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se gjatë bisedimeve që ka pasur në Ohër me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është i interesuar që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të kënaqur me punën e tij, pa dallim etnie.
Kurti, mes tjerash, tha se në tavolinën e bisedimeve në Ohër pati një ofertë për Vuçiqin, të cilën e konsideron si ofertë bujare por që nuk pati dakordim.
Kurti tha se për Vuçiqin në tavolinë pati një ofertë të bazuar mbi tri shtylla, por që e njëjta u refuzua ashpër.
“Sa i përket menaxhimit të komunitetit serb në njërën anë dhe në anën tjetër këto marrëveshjet që i kemi trashëguar që janë shkelur nga vetë Serbia, unë kam bërë një ofertë konkrete duke thënë që nëse pala serbe është dakord që të pranojë le të themi tri shtylla bazike, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar me 23 dhjetor 2015 dhe në anën tjetër një qëndrim të Brukselit dhe Washingtonit mbi atë se çka përafërsisht është apo s’është asociacioni unë ju kam thënë që nëse janë dakord me këtë premisë unë jam i gatshëm ta shkruaj draftin e propozimit. Mirëpo, duhet të pajtohemi fillimisht me premisën – nuk ka pasur dakordim që të përfillen këto tri shtylla”.
“Me këto tri shtylla unë kam thënë se ua sjell statusin si draft të shkruar nesër në mëngjes, këtë jua kam thënë në pasditen e 18 marsit në takimin trelateral dhe është refuzuar, bile jo vetëm që u refuzua por në ato momente u tha që nuk paskemi çfarë të diskutojmë më shumë dhe mund të ngrihemi nga ky takim”.
“Ishte refuzim shumë i ashpër i ofertës që nëse do të pranohej si premisë do të merrja barrën që të nesërmen në mëngjes t’i vazhdojmë bisedimet ku unë do ta sjell në tavolinë propozimin. Por, premisat s’u respektuan” tha Kurti.
12:35 – Kurti, Lajçakut: S’bën të barazohet fjala “komunitet” me “Asociacion”
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili dje tha se “ Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Kurti tha se nuk bën të barazohet fjala “komunitet me fjalën komunë apo Asociacion”, duke shtuar se nuk janë e njëjta gjë.
“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet “një nivel adekuat i vetmenaxhimit të komunitetit serb”. Thuhet “komuniteti serb”, jo “komunat”. Komuniteti nuk është kategori territoriale, e komunat janë njësi territoriale, pra nuk është e njëjta gjë”.
“Unë e kuptoj që nuk janë krejtësisht të ndryshme, por nuk janë e njëjta gjë. E kam thënë në kuvend se nga pikëpamja ime, kur themi “komuniteti serb”, atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas KiE-së. Kjo është platforma në të cilin kuptohet edhe angazhohemi për komunitetet”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se nuk i mohon dy marrëveshjet e kaluara, atë të 19 prillit 2013 dhe 25 gushtit të vitit 2015, por sipas tij, të dy ato marrëveshje janë shumë të cenuara.
“Marrëveshja e parë, është cenuar nga vetë presidenti i Serbisë që i ka dhënë urdhër strukturave serbe për inkuadrim në sistemin e Kosovës e më pas dorëheqje kolektive. Kjo është shkelje e marrëveshjes së 19 prillit 2013. Pra, marrëveshja e vitit 2013 nuk e mohojmë që ekziston, por konstatojmë që është shkelur nga Serbia”.
“Tjetra, marrëveshja e vitit 2015 s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në 23 nene në të gjithë kapitujt e asaj marrëveshjeje”, tha Kurti.
12:33 – Deklarimet nga Serbia, Kurti: BE-ja imponon zbatimin e marrëveshjeve të arritura
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen në terren në Serbi.
Kurti, në një konferencë për media, tha se Kosova nuk merret me deklarimet e palës serbe pasi tashmë kjo është në dorën e BE-së.
“Bashkimi Evropian duhet të dëshmohet tani, ne tani kemi marrëveshje, kishim marrëveshje me 27 shkurt dhe bëmë sërish marrëveshje me 18 mars njëra në Bruksel e tjetra në Ohër dhe që të dyja janë marrëveshje dhe janë konstatuar nga ndërmjetësi që kjo është marrëveshje”.
“BE-ja po thotë se është marrëveshje nga ana tjetër kemi deklarimet e palës serbe e cila tregon se si nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka apo se si tashmë po shkel diçka tjetër. Por, ne nuk duhet të merremi me këtë. Tash BE-ja është ai që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduar të zbatohen në terren”, u shpreh Kurti.
Madje, Kurti tha BE-ja imponon zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe mbikëqyr zbatimin e tyre.
“Ndërmjetësi imponon zbatimin dhe e ka fjalën tash për çfarëdo devijim, deformimi apo shkelje” tha Kurti.
© SYRI.net