Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se i mbron planet e qeverisë së saj për rritjen e shpenzimeve ushtarake. “Liria ka çmim”, ka thënë Meloni.
Duke folur në Senat para samitit të Bashkimit Evropian këtë javë, Meloni ka thënë se është e rëndësishme që të mbrohet liria, duke qëndruar prapa planeve të saj për rritjen e shpenzimeve ushtarake, raportoi agjencia shtetërore italiane e lajmeve, ANSA.
“Kurrë nuk kemi bërë ndonjë sekret se duam që t’i shtojmë mjetet për shpenzime ushtarake, siç kanë bërë qeveritë e kaluara, ndoshta në mënyrë sekrete, pa e pranuar atë”.
“Liria ka çmim: nëse nuk jeni të aftë për ta mbrojtur veten, të tjerët do ta bëjnë këtë, por do ta bëjnë duke vendosur një çmim”, ka thënë Meloni.
Meloni ka theksuar rëndësinë që të vazhdohet presioni ndaj Rusisë dhe ka shprehur përkrahje për sanksionet perëndimore ndaj Moskës.