LajmeMaqedoni

Vendimi për shpërndarjen e Këshillit komunal të Tetovës ka mbërritur në Kuvend

Kuvendi është njoftuar zyrtarisht nga Qeveria për shpërndarjen e Këshillit Komunal të Tetovës. Vendimi ka arritur në Kuvend, ndërsa pas verifikimit juridik do të shqyrtohen afatet për caktimin e datës së zgjedhjeve, shkruan Alsat.

Deri në zgjedhjen e këshillit të ri, një pjesë e kompetencave do i takojnë kreut të komunës, përkatësisht Bilall Kasamit. Kryetari aktual i këshillit, Besar Durmishi thotë se fokusi i subjektit të cilit i takon do të jetë sigurimi i shumicës së ardhshme.

“Ne si parti do të përgatitemi që fitoren e vitit kaluar ta kemi përsëri, por do të kërkojmë edhe votat nga qytetarët që të kemi mbështetje për të funksionuar dhe maksimalizuar dhe orientuar qasjen e këshillit në punët e mira për qytetarët , pa sabotime, pa bllokada, pra të jetë një këshill funksional”, tha Besar Durmishi, Kryetar i Këshillit të Tetovës.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se do të shfrytëzohet momenti për të rikthyer fitoren në Tetovë dhe për të siguruar shumicë të qëndrueshme.

“Aleanca për Shqiptarët do ta shfrytëzon këtë moment për ta bërë kthesën e madhe në Tetovë. Sepse neve jemi rikonstruuar dhe radhët tona janë gati. E kemi ndjekur këshillin nga afër dhe i kemi parasysh edhe gabimet, mangësitë dhe përparësitë edhe të pushtetit lokal”, u shpreh Vjollca Berisha, Sekretare e përgjithshme e ASH-së.
Lista “Më mirë për Tetovën” vlerëson se shkuarja në zgjedhje në kohë krize paraqet luks.

“Në këtë moment, në krizë ekonomike dhe politike të shkohet në zgjedhje është luks. Kemi shumë probleme dhe shumë gjëra për të punuar në këtë komunë e cila ka 24 milion euro borxh, por ja që institucionet ashtu vendosën”, u shpreh Elmedina Abdullahu, Këshilltare e Listës Më mirë për Tetovën.

Nga BDI thonë se do ta monitorojnë punën e Kasamit deri në zgjedhjen e këshillit të ri.

“Deri në zgjedhjen e këshillit të ri, kryetari i komunës i ka disa kompetenca të cilat mund t’i ndërmerr por me Ligjin për vetëqeverisje lokale kufizohet se jo të gjitha kompetencat mund t’i ushtron kryetari i komunës”, theksoi Blerim Osmani, Këshilltar i BDI-së.

Shpërndarja e këshillit të Tetovës erdhi pas mosmiratimit të llogarisë përfundimtare deri më 31 mars ashtu siç parashikohet me ligj. /Alsat.tv

Show More

Related Articles

Back to top button