Dronët rusë sulmuan objektivat civilë në Ukrainë dje, duke vrarë të paktën tetë persona në Rzhishiv afër Kievit, por rrethimi tokësor prej muajsh i qytetit lindor të Bakhmutit ka ngecur për shkak të rezistencës së ashpër nga mbrojtësit, thanë ekspertët ushtarakë britanikë dhe ukrainas, transmeton Portalb.mk.
“Ekziston ende një rrezik që trupat ukrainase mund të rrethohen në Bakhmut, por sulmi rus në qytet duket se po humbet fuqinë,” tha inteligjenca britanike.
Edhe gjeneral-shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase pajtohet se fuqia sulmuese e forcave ruse në Bakhmut, vendi i betejës më vdekjeprurëse të këmbësorisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, po pakësohet. Këtë e dëshmoi edhe vizita e djeshme e Volodymyr Zelenskiyt në postat e ushtrisë ukrainase pranë Bakhmutit, ku u filmua duke shpërndarë medalje.
“Forcat ruse aktualisht po rrisin ritmin e operacioneve të tyre sulmuese rreth Avdivka-s në një përpjekje për të rrethuar këtë qytet, gjë që mund të jetë duke e bërë me koston e ngadalësimit të operacioneve të tyre rreth Bakhmut dhe Vuhledar,” tha inteligjenca britanike.
Avdivka ndodhet afër qytetit të Donetsk dhe ka qenë në vijën e frontit që nga viti 2014.