Parlamenti europian nuk ka miratuar licencën e gjelbër për gazin dhe energjinë bërthamore duke e konsideruar të dëmshëm për ambientin. Licenca ishte miratuar më parë nga komisioni europian.
Me 76 vota kundër 62 dhe 4 abstenime, komisionet për Mjedisin dhe Çështjet Ekonomike të Parlamentit Europian, të mbledhura në seancën e përbashkët në Bruksel, hodhën poshtë përpjekjen e Komisionit Europian për të pranuar gazin bërthamor dhe natyror në kriteret e klasifikimit të aktivitete të qëndrueshme ekonomike, të cilat kualifikohen për investime të gjelbra.
Dy komisionet e eurodeputetëve hodhën poshtë aktin e deleguar të Komisionit me të cilin, duke përcaktuar gazin natyror dhe bërthamor si energji “kalimtare”, atyre u jepet përkohësisht një lloj licence qëndrueshmërie.
Votimi tani do të duhet të konfirmohet nga seanca plenare e Parlamentit Europian, nga 4 deri më 7 korrik. Nëse shumica absolute e anëtarëve – 353 – konfirmon kundërshtimin ndaj aktit të deleguar të propozuar, Komisioni do të duhet ta tërheqë ose ta ndryshojë atë.
Klasifikimi për aktivitet e qëndrueshme ekonomike synon të promovojë investimet e gjelbra në Bashkimin Europian, veçanërisht në sektorin privat, duke përcaktuar qartë se cilat aktivitete janë të qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore dhe klimatike dhe cilat jo. Synimi është gjithashtu shmangia e pretendimit mashtrues, për arsye marketingu, të përfitimeve cilësore dhe mjedisore për aktivitetet ekonomike dhe prodhimet që janë në fakt të paqëndrueshme.
Ndërsa njohin rolin e gazit fosil dhe energjisë bërthamore në sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji gjatë tranzicionit, eurodeputetët nga Komisionet e Mjedisit dhe Çështjeve Ekonomike besojnë se standardet e shqyrtimit teknik të propozuara nga Komisioni për të përfshirë këto dy burime të energjisë në klasifikim, nuk respektojnë kriteret për aktivitete ekonomike të qëndrueshme ekologjikisht.
Eurodeputetët theksuan se asgjë nuk i pengon investimet në aktivitete ekonomike që nuk përfshihen në klasifikimin e Taksonomisë së Gjelbër; thjesht nuk do të jetë e mundur që investitorët t’i kualifikojnë ato si investime të qëndrueshme. Shtetet anëtare, nga ana tjetër, vazhdojnë të jenë të lira të vendosin vetë përzierjen e tyre energjetike, pasi nuk u imponohet asnjë detyrim për të investuar ekskluzivisht në asete që plotësojnë kriteret e klasifikimit.
Rezoluta e miratuar nga eurodeputetët kërkon gjithashtu që çdo amendament i ri ose akt i ri i deleguar nga Komisioni t’i nënshtrohet konsultimit publik dhe vlerësimeve të ndikimit, pasi ato mund të kenë pasoja të rëndësishme ekonomike, mjedisore dhe sociale.