Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi e shpalli të pavlefshëm Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Haxhiu përmes një konference për media tha se është për tu habitur nga fakti sesi Kushtetuesja e ka përmendur se përzgjedhja e anëtarit nga Avokati i Popullit është anti-kushtetues.
“Për neve kjo pikë ka qenë shumë e habitshme”, u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu tha se zotimet e tyre në vitin 2021 kanë qenë puna dhe drejtësia.
“Siç jeni në dijeni më 14 shkurt të viti 2021, zotimet tona kanë qenë punë dhe drejtësi. Kjo jo vetëm si aspiratë e jona por edhe si përvojë e keqe në mungesën e drejtësisë, me një sistem gjyqësorë të kapur, një prokurori që hetonte dhe përndjekte të dobëtit e mbyllte sytë për të mëdhenjtë e të fortit. Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë ka qenë reformimi i këtij Këshilli për të eliminuar grupet e interesit, koorporatizmin që aktualisht mbizotëron në përbërjen e tij me përfaqësim të nëntë prokurorëve, plus kryeprokurori i shtetit dhe vetëm një anëtarë jo prokuror, dhe për të mundësuar përbërjen e re të Këshillit që mundëson zbatimin efikas të kompetencave të këshillit ashtu që të sigurohemi se prokurori i shtetit vepron i pavarur, profesional por edhe i paanshëm”, ka thënë Haxhiu.
Ajo tha se ende nuk e kanë pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ende nuk e kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por në bazë të njoftimit të tyre të publikuar ku përmblidhen të gjeturat kryesore duam të ju njoftojmë për pikëpamjet tona në lidhje me këto të gjetura.
Ajo e ka konsideruar paradoksale pikën e parë të vendimit të Kushtetueses.
“Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është koorporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’i ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së, dhe jo të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i koorporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ajo në konferencë për shtyp të shtunën.
Befasi e ka cilësuar edhe pikën që thuhet se delegimi i një anëtari jo prokuror nga Avokati i Popullit është jo kushtetues.
“Delegimi i një anëtari jo prokuror nga Avokati i Popullit është gjetur si jo kushtetues. Kjo është tërësisht befasuese për ne. Komisioni i Venecias ka sugjeruar që një numër i caktuar i anëtarëve jo prokurorë mund të rezervohen për institucionet e jashtme të pavarura, dhe ka përmendur në veçanti Avokatin e Popullit”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu tha se është në duar të presidentes nëse duhet ta dekretojë kryeprokurorin e shtetit.