LajmeRajon

Kujtohet masakra në Brestoc, Latifi: Gjaku i dëshmorëve dhe martirëve ujit rrënjët e lirisë

Rahoveci ka shënuar sot përvjetorin e masakrave të ndodhura në disa fshatra të saj. Në Brestoc në 24-vjetorin e tyre, u kujtuan 5 dëshmorët dhe 49 martirët e këtij fshati. Më 25 mars të vitit 1999 kishte ndodhur një nga masakrat më të tmerrshëm në Kosovë një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të fshatit bënë homazhe dhe nderuan dëshmorët dhe martirët që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Nga Brestoci, Latifi tha se ende presin të mësojnë për fatin e 9 të pagjeturve nga kjo masakër dhe uroi që të ketë angazhim shtesë institucional.

Ai tha se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve në të gjithë Kosovën ujit rrënjët e lirisë së vendit të fituar në qershor të ’99-ës dhe të kurorëzuar në shtet më 2008.

“Asgjë s’ka ndryshuar nga viti 2022, pra ende nuk kemi gjurmë, nuk kemi shenja, të të pagjeturve, përveçse kujtimet në mendjet dhe zemrat tona vijojnë të jetojnë dhe natyrisht ne sot bashkëqytetarët tanë, familjarët e martirëve, të të pagjeturve, familjarët e dëshmorëve, ndiejmë dhe dhimbje por njëkohësisht edhe krenari sepse pa gjakun e dëshmorëve, pa gjakun e martirëve dhe këto sakrifica e flijime Kosova nuk do të vinte në qershorin e vitit 1999 dhe Kosova po ashtu nuk do të vinte në 17 shkurtin e vitit 2008. Gjaku i martirëve, të Brestocit, i dëshmorëve, i martirëve dhe dëshmorëve, jo vetëm të komunës sonë por gjithandej në Kosovë është gjak që ujit rrënjët e lirisë e cila u fitua pas 78 ditëve bombardimesh nga ana forcave ajrore të NATO-s dhe natyrisht falë angazhimit, përkushtimit, sakrificës dhe veprës së luftëtarëve ë UÇK-së”, deklaroi Latifi.

Rahoveci sot shënon 24-vjetorin nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve edhe në fshatrat Fortesë e Celinë.

08:41- 24 vjet nga masakra në Krushë të Madhe ​

24 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga ky Krusha e Madhe. Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.

Pavarësisht kësaj, për këtë masakër, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.

07:46 – 24 vjet nga masakrat në fshatrat e Rahovecit

Sot mbushen 24 vjet nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit.

Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.

Për të nderuar kujtimin e tyre, Komuna e Rahovecit do të bëjë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Brestoc në ora 10:00, pastaj në fshatin Fortesë në ora 11:00 si dhe në fshatin Celinë në ora 13:00.

Show More

Related Articles

Back to top button