Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, deklaroi se qëndrimi i vendit të saj që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, mbetet i njëjtë.
“Në të njëjtën kohë, Greqia, përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës dhe besnike ndaj politikës së saj në Ballkanin Perëndimor, ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në raport me Kosovën, e cila synon forcimin e stabilitetit si dhe një lëvizje të përgjithshme drejt integrimit në BE të të gjithë rajonit, që është qëllimi ynë strategjik”, tha ajo për gazetën serbe “Politika”.
Mes tjerash, presidentja greke theksoi se “integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është një investim i dobishëm i natyrës strategjike, si për vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe për partnerët e Ballkanit Perëndimor”.
“Ky është pozicioni që Greqia e ka mbrojtur dhe promovuar vazhdimisht për dekada. BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor”, tha Sakellaropoulou, transmeton Klankosova.tv.
Greqia është në mesin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Shefja e shtetit grek do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi nga data 27 deri më 29 mars dhe do të pritet nga presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, bën të ditur zyra e kreut të shtetit serb. /Klankosova.tv.