BotaLajme

Britania dhe Polonia do të ndërtojnë fshatra të përkohshme në Ukrainë

Britania e Madhe dhe Polonia do të ndërtojnë dy fshatra të përkohshme në perëndim dhe qendër të Ukrainës, për t’iu ofruar strehim atyre që janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Londra ka thënë se do të ndajë fonde prej 12.3 milionë dollarëve.

Pothuajse 118.000 ukrainas janë strehuar nga familjet britanike, në kuadër të përgjigjes qeveritare ndaj pushtimit rus në Ukrainë – që ka nisur në shkurt të vitit 2022 – mirëpo disa refugjatë janë duke e pasur shumë të vështirë që të gjejnë shtëpi të përhershme.

Qeveria britanike ka thënë se fshatrat në Lviv, në perëndim të Ukrainës dhe në Poltava në qendër të Ukrainës, do të mund të strehojnë më shumë se 700 njerëz – një përqindje e miliona ukrainasve që janë shpërngulur, apo janë larguar krejtësisht nga shteti.

“Në vitin e kaluar (presidenti rus, Vladimir) Putin, ka vazhduar që të shënjestrojë shtëpitë civile dhe infrastrukturën, dhe populli ukrainas e ka paguar çmimin e rëndë”, ka thënë ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly përmes një deklarate.

“Ky partneritet i ri Mbretëri e Bashkuar – Poloni do të ndihmojë që ukrainasit të kenë dritë, ngrohje dhe shtëpitë që u duhen aq shumë”.

Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Show More

Related Articles

Back to top button