Pas protestave për aksidentin hekurudhor vdekjeprurës në Greqi zhvillohen mes shpërthimit të zemërimit zgjedhje parlamentare dy muaj para afatit.
Kryeministri grek Kyriakos Micotaqis njoftoi se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen më 21 maj. Ky njoftim vjen pas protestave të gjera kundër qeverisë të shkaktuara ngaaksidenti hekurudhor vdekjeprurës.
“Vendi dhe qytetarët kanë nevojë për horizonte të qarta,” tha Micotaqis në një takim me kabinetin të transmetuar në televizion. Në përputhje me ligjin grek qeveria duhej t’i organizonte zgjedhjet më së voni deri në korrik të këtij viti.
Partia konservatore Demokracia e Re e Micotaqisit do të përballet me rivalen e saj kryesore, partinë e majtë Syriza, e cila udhëhoqi qeverinë nga viti 2015 deri në vitin 2019, nën drejtimin e ish-kryeministrit Aleksis Cipras.
Zgjedhjet e majit do të jenë të parat që do të mbahen duke përdorur sistemin e përfaqësimit proporcional të prezantuar së fundmi. Nëse nevojitet një raund i dytë votimi, ky do të mbahet më së voni në fillim të korrikut, tha Micotaqis.
Sipas sondazheve Demokracia e Re ka pak më shumë përkrahës se Syriza, por nuk ka gjasa që nga raundi i parë i zgjedhjeve të dalë një fitues i qartë.
Greqia shkon drejt qendrave të votimit mes shpërthimit të zemërimit
“Greqia është në një vend shumë më të mirë në 2023 sesa në 2019”, tha Micotaqis për gazetën greke “Kathimerini”. “Puna jonë vazhdon, sigurisht, nuk kemi qenë pa gabime”.
Ai u bëri thirrje votuesve të hedhin vështrimin nga vendet e tjera që janë mbërthyer në cikële zgjedhjesh ngaqë ato nuk kanë nxjerrë fitues të qartë duke i lënë këto vende pa qeveri.
“Të dielën do të ketë zgjedhje në Bullgarinë fqinje,” tha Micotaqis. “Këto janë zgjedhjet e pesta në dy vjet”.
55-vjeçari Micotaqis, i biri i ish-kryeministrit Konstantin Micotaqis ishte mjaft i preferuar gjatë mandatit të tij.
Por skandalet, si përplasja vdekjeprurëse e trenave prej së cilës pati 57 të vdekur, kryesisht studentë dhe për të cilin protestuesit thanë se ndodhi për shkak të mungesës së investimeve të qeverisë – si dhe akuzat për përgjime të kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve nga ana e forcave greke të sigurisë, e kanë dëmtuar reputacionin e tij./DW/