Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të heqë dorë nga plani për reformën e gjyqësorit që do të tkurrte kompetencat e këtij sistemi dhe do të forconte kontrollin e qeverisë mbi të. Thirrja ngjalli reagimin e udhëheqësit izraelit i cili tha se nuk merr vendime bazuar tek presioni nga jashtë. Shkëmbimi mes dy udhëheqësve ishte një përplasje e rrallë publike midis dy vendeve që janë aleatë të ngushtë.
Presidenti Biden tha se është “shumë i shqetësuar” nga tensionet politike në Izrael dhe se vendi “nuk mund të vazhdojë në këtë rrugë”, duke i bërë thirrje Kryeministrit Netanjahu të tërhiqet nga plani.
“Shpresoj që ai të heqë dorë prej tij”, tha zoti Biden duke bërë thirrje “për një kompromis të vërtetë”.
Ai po ashtu tha se nuk ka në plan ta ftojë kryeministrin izraelit në Shtëpinë e Bardhë në të ardhmen e afërt.
Kryeministri Netanjahu reagoi menjëherë, duke u shprehur përmes Twitterit se “Izraeli është një vend sovran që i merr vendimet me vullnetin e popullit të tij dhe jo bazuar në presionet nga jashtë, përfshirë edhe miqtë tanë më të mirë.”
Zoti Netanjahu tha se administrata e tij po përpiqej të bënte reforma “me një konsensus të gjerë”.
“Unë e njoh Presidentin Biden prej më shumë se 40 vjetësh dhe e vlerësoj angazhimin e tij ndaj Izraelit,” tha ai.
Ai tha se aleanca Izrael-SHBA është e pathyeshme “dhe i tejkalon gjithmonë mosmarrëveshjet e herëpashershme”.
Benny Gantz, një opozitar dhe ish-ministër i mbrojtjes e kritikoi kryeministrin Netanyahu duke shkruar në Twitter se “Dëmtimi i marrëdhënieve me SHBA-në, mikun tonë më të mirë dhe aleatin tonë më të rëndësishëm, është një sulm strategjik.”
Michael Oren, ish-ambasador i Izraelit në SHBA tha se nuk i takonte presidentit Joe Biden të shprehej për një problem të brendshëm të Izraelit.
“Nuk i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara të ndërhyjë në një polemikë të brendshme politike në Izrael. Dhe sigurisht nuk është në interesin e Izraelit që presidenti ndërhyri tani, ndërsa të dy palët, si qeveria ashtu edhe opozita, janë ulur me Presidentin (Isaac) Herzog rreth tryezës për të diskutuar mënyrat e zgjidhjes së kësaj krize në një mënyrë nga e cila të përfitojnë të gjithë izraelitët.”
Kryeministri Netanjahu dhe aleatët e tij fetarë dhe ultranacionalistë paraqitën propozimet për reformën në janar, vetëm disa ditë pasi formuan qeverinë, më e djathta në historinë e Izraelit.
Plani do t’i jepte zotit Netanjahu, i cili po gjykohet nën akuzat për korrupsion, fjalën e fundit në emërimin e gjyqtarëve të vendit. Ai gjithashtu do t’i jepte parlamentit, i cili kontrollohet nga aleatët e kryeministrit, autoritet për të rrëzuar vendimet e Gjykatës së Lartë dhe për të kufizuar aftësinë e gjykatës për të rishikuar ligjet.
Propozimi e ka zhytur Izraelin në krizën më të rëndë politike në dekada. Dhjetëra mijëra vetë dolën për të protestuar në qytete anembanë vendit.
Udhëheqësit e biznesit, ekonomistët e lartë dhe ish-shefat e sigurisë e kanë kundërshtuar të gjithë planin, duke thënë se ai po e çon vendin drejt autokracisë.
Ekipet negociuese të fraksioneve politike rivale të Izraelit mbajtën takimin e tyre të parë të martën vonë për të filluar bisedimet mbi një plan të mundshëm kompromisi.
Të hënën zoti Netanjahu shtyu planin e tij për ndryshimet në gjyqësor, duke thënë se donte “të shmangte luftën civile” dhe të linte kohë për të gjetur një kompromis me kundërshtarët politikë.