Panele diellore janë duke u instaluar në hekurudhat në Zvicër. Është një risi e startup-it zviceran “Sunways”, e cila synon të përshpejtojë tranzicionin energjetik të Evropës.
Kompania, me ndihmën e Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë në Lozanë, patentoi përbërjen e këtyre paneleve diellore. Gjithashtu është projektuar një tren që instalon panele fotovoltaike gjatë lëvizjes në binarë. Ky tren përdor një mekanizëm të veçantë për vendosjen e paneleve me gjerësi një metër, të cilat më parë ishin montuar në një fabrikë.
Energjia elektrike e prodhuar nga panelet diellore do të futet në rrjetin elektrik dhe do të përdoret për energjinë e shtëpive familjare. Kompania ka ambicie të mëdha për inovacionin e saj mjedisor.
Në teori, panelet mund të instalohen në të gjithë rrjetin hekurudhor të Zvicrës, i cili është 5,317 kilometra i gjatë. Kështu, panelet fotovoltaike do të mbulonin një sipërfaqe sa 760 fusha futbolli.
Kompania vlerëson se mbulimi i të gjithë rrjetit do të prodhonte 1 teravat-orë energji në vit, që është rreth 2 për qind e konsumit total të energjisë në vend. Kompania gjithashtu planifikon të zgjerohet në Gjermani, Austri dhe Itali.
Megjithatë, Unioni Ndërkombëtar i Hekurudhave ka shprehur shqetësimin se panelet mund të krijojnë çarje dhe mund të çojnë në një rrezik më të madh zjarri në zonat e gjelbra ose të ndërhyjnë në drejtimin për shkak të reflektimit të dritës së diellit.
Kompania u përgjigj se panelet e tyre janë më të fortë se ato të zakonshme dhe mund të kenë një filtër kundër reflektimit. Sensorët e integruar mund të sigurojnë funksionimin e duhur të paneleve.