LajmeRajon

Krerët e UÇK-së nga gjykimi në Hagë: Jemi të pafajshëm

Ish-krerët e Ushtrisë i Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë deklaruar sërish të pafajshëm për akuzat ndaj tyre para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, transmeton Anadolu.

Hashim Thaçi në seancën e parë kur fillon procesi i gjykimit ndaj tij, tha se konfirmon deklarimin e tij të parë, se është i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

Kadri Veseli, duke konfirmuar pafajësinë tha: “Shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë 2 vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falënderoj, jam tërësisht i pafajshëm”.

Edhe Rexhep Selimi tha se është i pafajshëm “për të gjitha pikat në aktakuzë”.

Ish-kreu i UÇK-së, Jakup Krasniqi tha se është i pafajshëm dhe s’ka asnjë lidhje me akuzat që u lexuan nga Prokuroria Speciale.

“S’kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokuroria para pak kohësh. Akuzën e kuptoj, por nuk pajtoj pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi me atë që e flet akuza. Jam plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.

Jashtë ndërtesës së Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë një numër i qytetarëve nga Kosova dhe ata të cilët jetojnë në diasporë po protestojnë me thirrje për drejtësi. Aty po merr pjesë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bashkë me familjarë të të akuzuarve.

Aktakuza ndaj katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej tyre janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Show More

Related Articles

Back to top button