LajmeRajon

BE e gatshme të punojë me presidentin e ri të Malit të Zi

Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri për të punuar me presidentin e ri të zgjedhur të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke shprehur bindjen se ky shtet do të mbetet i përkushtuar për rrugën evropiane.

Në të njëjtën kohë, Brukseli ka bërë ftesë për stabilitet politik në këtë shtet në mënyrë që të përshpejtohet procesi i reformave dhe të arrihet përparim në negociatat e anëtarësimit.

Kështu tha sot në Bruksel zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur u pyet rezultatin e zgjedhjeve në Podgoricë.

Kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka fituar rreth 60 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të dielën, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, ka marrë rreth 40 për qind, treguan rezultatet preliminare.

“BE-ja do t’i jap vlerësimet e veta zyrtare pasi të bëhet publik raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve”, tha Stano

“Në përgjithësi presim të bashkëpunojmë me presidentin e ri dhe me të gjithë partnerët politik në Podgoricë për t’i ndihmuar Malit të Zi të mbetet fuqishëm në rrugën e integrimeve evropiane… prioriteti duhet të jetë sundimi i ligjit dhe vazhdimi i reformave në drejtësi, ashtu siç është kërkuar nga raportet përkatëse të Komisionit Evropian”, tha ai.

Analistët thonë se është ende e paqartë nëse Millatoviq dhe partia e tij në rritje “Evropa tani” do të vazhdojnë t’i ndjekin politikat pro Bashkimit Evropian.

Ata paralajmërojnë se marka e populizmit e kësaj partie mund të shkaktojë lëkundje përballë çështjeve të vështira me të cilat përballet një nga demokracitë më të reja të kontinentit, përfshirë këtu: ndarjet politike mbi identitetin serb dhe malazez, marrëdhëniet me Beogradin dhe Kishën Ortodokse Serbe, si dhe ndikimin rus në rajon.


Show More

Related Articles

Back to top button