Kosova dhe Serbia sot do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, i pari që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Sot do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe.
Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë.
Gjatë së hënës, zëdhënësi i Bashjimi Evropian, Peter Stano deklaroi se presin nga Kosova dhe Serbia që të të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që janë marrë në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër.
“Takimi i kryenegociatorëve është i rëndësishëm sepse ata do të diskutojnë. Ata do të takohen në fakt për herë të parë zyrtarisht pas marrëveshjes së Ohrit dhe do të punohet dhe diskutohen hapat e nevojshëm për zbatimin e zotimeve që dalin nga marrëveshja dhe aneksi i saj”, tha Stano.
Stano përsëriti se të dy palët kanë rënë dakord për marrëveshjen dhe aneksin dhe diskutimet për mungesën e nënshkrimit janë të kota.
“Ajo që është e rëndësishme është se të dyja palët ranë dakord për këtë tekst, është një deklaratë politike. Ky është zotim i qartë që është pranuar nga të dyja palët përmes deklaratës së përfaqësuesit të lartë, deklaratë e cila është publikuar gjatë natës pas përfundimit të bisedimeve të Ohrit. Pra, ka një angazhim të qartë, pranim të qartë nga të dyja palët se ata pranojnë marrëveshjen dhe aneksin, dhe ata marrin një angazhim politik për të filluar zbatimin e saj. Pra, çdo diskutim për nënshkrimin ose jo është krejtësisht i kotë, sepse ajo që duhet tani është përmbushja e zotimit, dhe zotimi ishte shumë i qartë, zotim për zbatim”, ka thënë Stano.
Ndryshe, më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq./KosovaPress