LajmeRajon

Kurti, numëron sukseset e dy viteve qeverisje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka numëruar sukseset e Qeverisë përgjatë dy viteve sa është në pushtet.

Në mesin e rezultateve që i tregoi, Kurti theksoi ekonominë si suksesin kryesor, duke përmendur rritjen ekonomike në mesin e sfidave të inflacionit dhe luftës në Ukrainë.

Ai tha se edhe raporti import – eksport është përmirësuar nga 1-9 në 1-6.

“Puna dhe drejtësia ishin dy shtylla të zotimeve tona të 14 shkurtit e si angazhim i yni i përditshëm. Ekonomia është e të gjithëve dhe nëse ajo shkon mirë duhet t’i gëzohemi të gjithë sepse na prek të gjithëve. Në vitin e parë të qeverisjes patëm rritje 10.7 për qind të bruto produktit vendor që është më e larta në historinë e vendit, ndërsa në vitin 2022 kur i gjithë kontinenti ynë po vuante ekonomikisht si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, rritja ishte rreth 4  për qind pasi që të hiqet inflacioni. Për vitin 2022 i kemi pasur rreth 920 milionë eksporte, këtë vit do t’i kalojmë mbi 1 miliard, rritja e eksporteve tregon rritjen e gjallërisë së ekonomisë sonë, rritjen e sektorit prodhues të mallrave e të shërbimeve. Raporti eksport -import në vitin 2019, pra vitin para se të bëhem unë kryeministër për herë të parë, ishte 1 me 9 e sot është më pak se 1 me 6. Nëse vazhdojmë kështu, dhe sigurisht që do të vazhdojmë kështu, me ndihmën e sipërmarrësve të punëtorëve që angazhohen në sektorët prodhues, raporti eksport-import do të përmirësohet e deficiti tregtar të zvogëlohet”.

Gjithsesi, ai tha se ende ka shumë punë dhe përmirësime për t’u bërë.

“Janë dy vite, dhe kemi ende shumë punë dhe shumë politika të reja  për t’i zbatuar në ndihmë të eksportit dhe prodhimit vendor, por situata ka ndryshuar për të mirë, është optimiste, edhe deficitin buxhetor për vitin 2022 më në fund kemi arritur ta zvogëlojmë në një rekord historik vetëm 49.1 milionë euro minus, mbi 11 herë më pak se në vitin 2020. E për dy vite janë dyfishuar investimet e huaja direkte. Buxheti i shtetit është rritur me 760 milionë euro për dy vite, ndërsa ekonomia është rritur me 2.1 miliardë euro, pra kemi Republikën e Kosovës me qeverisjen tonë me ekonomi të gjithëmbarshme prej 9 miliardë euro. Në të shkuarën, qeverive u duheshin 3 vite për t’ia shtuar vetëm 1 miliard ekonomisë, e tash për 2 vite i keni më shumë se 2 miliardë. Qeveria po peshon më lehtë se më parë”, tha kryeministri.

E kjo rritje ekonomike, sipas Kurtit ka bërë që të rritet edhe punësimi, ku për dy vjet, janë mbi 37 mijë më shumë të punësuar se që kanë qenë para qeverisjes së tij.

“Për 21 muaj, nga marsi i vitit 2021 deri në dhjetorin e vitit 2022, është rritur punësimi primar nga mbi 325 mijë të punësuar në mbi 362 mijë të punësuar, pra për 21 muaj mbi 37 mijë më shumë të punësuar dhe numri i grave të punësuara është 50.3 për qind të rritjes së gjithëmbarshme”.

Tutje, Kurti përmendi edhe programet e reja të mbështetjes sociale dhe të punësimit, sikurse shtesat për lehona dhe fëmijë.

“Si kurrë më parë janë krijuar programe të reja të mbështetjes sociale dhe të punësimit sikurse shtesat për 34 mijë lehona dhe 340 mijë fëmijë, pra lehonat dhe fëmijët nuk kanë marrë asnjë cent në të kaluarën dhe tash praktikisht ata mbështeten nga shteti dhe në momentin kur kalon Ligji edhe në lexim të dytë për Pagën Minimale, automatikisht do të rriten edhe shtesat për lehonat”, shtoi kryeministri.

Show More

Related Articles

Back to top button