Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendin ka treguar pakënaqësitë e tij për Qeverisjen Kurti.
Për të treguar zbatimin e buxhetit nga Qeveria, Haradinaj përmendi disa të dhëna të raportit janar-shtator 2022.
“Ministria e Zhvillimit Rajonal për janar-shtator ka realizuar 0% të buxhetit, Ministria e Pushtet Lokal 1% të buxhetit, Ministria e Industrisë 5, e Shëndetësisë 6%, e Financave 6%, e Ekonomisë 13%, e Kulturës 13% dhe ajo e Mbrojtjes 15%”, tha Haradinaj.
Sipas tij, 800 milion Buxhet i Kosovës, i mbajtur peng në një periudhë inflacioni për 20%, nuk quhet sukses dhe se asnjë qeveri në botë nuk e ka quajtur sukses.
“Ato para të taksapaguesve, kane qenë të dedikuara me ligj për buxhetin, dhe mos zbatimi i ligjit për buxhetin është veprim jo ligjor. Në shoqëritë tjera e në vendet e tjera kërkohet llogaridhënie për ata që nuk e kanë zbatuar ligjin e buxhetit, dikush duhet me dhënë përgjegjësi”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij dikush është dashur të burgosej për mbajtjen peng të parave të buxhetit të Republikës së Kosovës dhe nuk e ka dërguar tek qytetari.
“Njëra ndër arsyet pse e kemi gjendjen të pashpresë në vend është ndërprerja e krejt investimeve kapitale, krejt projekte madhore të këtij vendi, infrastruktura është ndërprerë. Ka dy vite që kryeministri ynë që përmendke miliarda nuk e ka shti 1 cent në projekte strategjike”, tha Haradinaj.
Ai tha se mbajtja e buxhetit peng është strategji e Kurtit që ti lodhë njerëzit, komunat, kryetarët e komunave, sipërmarrësit, qytetarët të cilët sipas tij Kurti dëshiron ti kthejë në skllavë dhe të njëjtit të varen nga ai kur i jepet lëmoshë.