Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohet sot në Beograd me Listën Serbe. Takimi pritet të mbahet në ora 13:00.
Pas takimit të Vuçiqit me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova, është planifikuar një konferencë për media, ka bërë të ditur Shërbimi për Media i Presidentit të Republikës, raporton RTS.
Ky takim vjen disa ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë paraparë të mbahen në katër komunat veriore të Kosovës, më 23 prill 2023.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.
Në anën tjetër një takim i nivelit të lartë mes kryteministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë është paralajmëruar të mbahet gjatë muajit prill.